Rreth 15 ndërtime pa leje kanë nisur të shemben ditën e sotme në bregdetin e Velipojës në Shkodër.
Zëvendësministri i brendshëm Besfort Lamallari ka ndjekur nga afër aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje, ku iu përgjigj dhe pyetjeve të gazetarëve nëse kishte apo jo bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës.
Lamallari la të kuptohej se asnjë zyrtar lokal nuk kishte marrë pjesë në operacion, ndërkohë që tha se asnjë prej prishjeve nuk është bërë për shkak të motiveve politike.
Gjithashtu ai shtoi se aksioni i ndërmarrë për shembjen e ndërtimeve nuk ka lidhje me sezonin turistik, sipas tij nuk prishet imazhi i vendit nëse organet zbatojnë ligjin.
Ai tha se operacioni IMT-së do vazhdojë dhe do t`iu japë të gjithë shqiptarëve atë që meritojnë.
“Aksioni i shembjeve nuk ka lidhje me sezonin turistik, nuk prioshet imazhi i vendit nëse organet zbatojnë ligjin.
Është operacion që vijon, do t`iu japë të gjithë shqiptarëve atë që meritojnë.
Janë autoritetet vendore që duhet të përcaktojnë vendet e depozitimit të inerteve.
Bashkëpunimi me të gjithë aktorët është shumë i nevojshëm, për të bërë të mundur zbatimin sa më efektiv të këtij operacioni.
Njoftimi ka qenë publik, dhe të gjithë kanë marrë dijeni për operacionin”, u shpreh Lamallari.
Gjatë ditës së sotme ka nisur një aksion në të gjithë vendin për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet, nga Velipoja në zonën e Ksamilit.





