2 ditë pas shembjes së pallatit nr.122, në lagjen nr.18 në Durrës dëmet e shkaktuara janë mjaft evidente në shtëpi dhe biznese.

Hekuran Mustafallari ishte sot duke zëvendësuar të gjithë vetratën e biznesit të tij, që u thye nga shpërthimi i komanduar i datës 10 janar.

Për “Durrëslajm”, ai rrëfen se i është shkaktuar më shumë se 1 milionë lekë të vjetra dëm, ndërsa riparimet po i kryen me para të marra borxh.

Si Hekurani ka edhe të tjera biznese të dëmtuara.

Vetrata e një biznesi tek një pallat shumëkatësh aty pranë u shkëput ditën e sotme, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve.

Për kryefamiljarin Vehbi Gashi, banor i pallatit nr. 801, shembja e kontrolluar e godinës ngjitur ishte më keq sesa tërmeti i 2 viteve më parë.

Çifti i pensionistëve detyrohet të flejë në kuzhinë, pasi dritaret e dhomës së gjumit dhe ambienteve të tjera janë thyer krejtësisht.

Në mure kanë mbetur shenjat e shpërthimit të dy ditëve më parë.

Hekuran Mutafallari dhe Vehbi Gashi janë vetëm disa nga të dëmtuarit e shpërthimit. Apeli i tyre drejtuar institucioneve është vlerësimi i dëmeve, megjithëse nuk shpresojnë se do të dëmshpërblehen.

Për shembjen e kontrolluar të pallatit 8 katësh, të dëmtuar rëndë nga tërmeti u përdorën 20 kg lëndë eksplozive dhe shpërthimi u ndie në të gjithë qytetin.

M.B.