PEJE, 01 mars 2013 – Mbi 20 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje kritike, thonë raportet e fundit. Nxënësit ndodheshin në palestrën sportive “Karagaçi” në një koncert humanitar që ishte organizuar për ta ndihmuar nxënësen Djellza Nimanaj nga Deçani e cila vuan nga leuçemia.
Koncerti kishte nisur nga ora 13:00 dhe aksidenti ka ndodhur kur gjatë koncertit rënë një pjesë e tavanit dhe ka zënë nxënësit. Drejtori i drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim në komunën e Pejës Avdyl Lajqi, ka thënë për Kosovapress se kanë vizituar nxënësit e lënduar, mirëpo nuk ka dhënë më shumë informata.
Zëdhënësi i policisë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibraj ka thënë se sa i përket të dhënave që kanë deri tani 21 persona të moshave rinore janë të lënduar, ndërsa dy nxënëse të gjinisë femërore janë në gjendje më të rëndë dhe janë dërguar në QKUK.
“Akoma nuk i kemi informatat e konfirmuara sepse të gjitha ekipet hetimore të emergjencave dhe prokurori janë në vendngjarje dhe deri tani këto janë të dhënat që i kemi. Kur të kthehen nga tereni ekipet do të njoftoheni më detajisht” ka thënë Ibraj për Kosovapress. Në koncert po merrnin pjesë mësues si dhe prindër të shumtë.