Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

  • Një vajzë e vetme në “Një hap për Durrësin”
  • Forca e kurajos dhe e pasionit të skajshëm
  • Një sportiste polivalente, me energji të pashuar
  • Dashuria për Durrësin, për vëndin, për njerëzit
  • Një nismë, që kërkon shumë mbështetje

Ishte një e enjte kjo e 30 janarit 2020, shumë e veçantë. Dhe kjo e veçantë nuk është e rënë nga qielli, por e ndodhur në mesin tonë, në gjirin tonë. Nga kjo e veçantë përcillet një mesazh i fuqishëm, që të lë pa mënd, që të le të mendohesh gjatë, që të huton për momentin dhe të fikson në mëndje shijen e një befasia shpresdhënëse, ndjellamirë dhe shumë, shumë optimiste. Surpriza tashmë ka ndodhur dhe ende pyes veten:

-Si ka mundësi, një shembull kaq domethënës, nxitur nga brenda shpirtit, e çfaqur jashtë shpirtit, duke tentuar të materializohet me shumë shpirtëra të tjerë?!

Çfarë ka ndodhur? Pasi më telefon, vjen dhe më takon Dëborah Keçi. Kisha vite pa e parë. M’u kujtua kur me të jatin, mikun tim të hershëm Naim Keçin ndoqa disa seanca stërvitore, të kësaj notareje të re, të një talenti të notit. Ishin kohët kur në Durrës punonte me moshat, i paharruari Agron Ismailati. Dëborah më pas shkoi në Milano të Italisë dhe iu nënshtrua studimeve për ekonomi. Më gjatë, nuk dija më se si i kishin shkuar punët Dëborah Keçit. Veçse e kujtoja gjithnjë për emrin e veçantë, veçanërisht tek h-ja në fund të saj.

Dëborah Keçi, ishte rritur, me një shtat të brishtë por shumë elegante. Sytë i shkëlqenin nga mirësia, buzëqeshja ishte varur në buzët e saj, e zemra sa nuk i dilte vëndit nga kënaqësia, për atë që kishte marrë përsipër të bënte. E kishte lënë Italinë, pas mbarimit të studimeve dhe ishte emëruar në Bashkinë e Tiranës, në drejtorinë e sporteve, ku drejton e mirnjohura e basketbollit Edra Alibegaj.

-E dua vëndin tim. Nuk më rrihej në Itali. Sakrifikova shumë për shkollën. Por ja që Atdheu im sikur më thërriste dhe kishte nevojë për angazhimin tim.  Kemi bërë shumë maratona në Tiranë dhe vrava mëndjen, pse mos ta bëjmë një të tillë edhe në Durrës. Dhe nëse nuk ndihmoja unë për këtë gjë, kjo dëshirë zbehej dhe mbase nuk plotësohej. Tërmeti i Durrësit, u ndje shumë edhe tek një durrsake si unë dhe vendosa të ndihmoj, në dukje pak nga ana materiale, por shumë në atë që quhet shpirt, jetë.

Dhe më pas më bëri të ditur, planin e saj, aspak projekt në para, por së pari projekt me sponsor kryesor zemrën dhe shpirtin e saj, e kësaj durrsakeje të mirë që nuk e shkëmbeu tokën e të parëve me dheun e huaj. Dhe më bëri përshtypje motivimi i saj, për t’u mbështetur në bamirësi. Dhe ja se si e shpreh edhe vetë, duke e publikuar këtë pozicion, këtë moto:

-Ndonëse në një situatë të pakëndshme, jam shumë e lumtur të jap ndihmesën time modeste për qytetin tim të dashur Durrësin, duke besur tek forca e sportit për t’i bërë njerëzit bashkë. E bëj më shumë dashuri, sepse për herë të parë në ciklin e një shkolle 8-të vjeçarë të këtij qyteti, mësova çdo të thotë bamirësi dhe konkretisht si t’i ndihmojmë njerëzit në nevojë. Perkushtimi im dhe i shokëve të mi ishte maksimal, deri në momentin e dorëzimit të atyre qeseve të rënda për duart tona të vogla. Ka shumë gjëra që t’i qyteti im më ke dhuruar mua dhe qytetarëve te tu: ajrin e pastër, kaltërsinë e detit, perëndimin më të bukur në botë…Të dua Durresi im!

Dhe me shoqërinë dhe miqësinë që ka, ndërtoi edhe një spot publiçitar. Në të ajo shpreh tërë nismën, që është personale. Mbi këtë bazë, ajo ka mobilizuar tërë miqtë e shokët, për ti shërbyer një qëllimi. ‘’Një hap për Durrësin’’. Kështu është nisma që ka ndëmarrë. Dhe ja se si e shpjegon më gjatë, atë që ajo ka ndërmënd të realizojë, të dielën e 23 shkurtit 2020:

-Një Hap për Durrësin, është një vrapim sensibilizues dhe jo një garë e mirëfilltë.
Më shumë se çdo here tjetër, ka shumë pak rëndësi nëse ecën apo vrapon, nëse arrin i pari apo i fundit, për sa kohë bëhemi bashkë dhe hedhim një hap përpara.

Të ardhurat e mbledhura nga regjistrimet tuaja nga ky event sportiv, do të shkojnë për rregullimin e shkollës 9-vjecare ‘’Njazi Mastori’’, Sukth.

Të ndihmojmë për ti mbledhur përsëri këta nxënës bashkë, në një strehë të sigurtë, në shkollën e tyre të dashur, ku me zemrën e ngrohtë dhe sytë që qeshin, të vazhdojnë ciklin e tyre mësimor normalisht, sepse energjia dhe ritmi i jetës fillojnë pikërisht  aty, në bankat e shkollës.

Deborah Keçi! Vetëm një, për të na bërë shumë. Edhe mua më kërkoi të ndihmoja në një gjë. Të evidentoj personalitete të Durrësit, që të përmënden në vrapimin prej 5 kilometrash, një vrapim masiv në rrugët e qytetit, që vrapuesit t’i ngjajnë atyre, në fusha të ndryshme të veprimtarisë jetësore. Kjo Dëborah Keçi, me shumë humor, me shumë optimizëm, ka një kulturë të plotë, e veçanërisht befasuese në sporte. Së pari ajo i ushtron vetë sportet. Bën dukshëm mirë notaren, ku para pak kohësh ishte kampione dhe rekordmene kombëtare, rrëshqet me patina, bën fluturime ajrore, vrapon me ritmet e një fituese, ushtron çiklizmin, bën edhe rafting (vozitje në ujë), ushtron aerobinë dhe streçingun. E çfarë nuk ushtron kjo Dëborah Keçi, zhdërvjelltësia e së cilës i kalon kufijtë e habisë!

-Jam gati, që gjatë muajit shkurt pasi më duhet të jem gjithë kohën në Durrës, për tu marrë me organizimin e krosit masiv, pa dallim moshe, të kërkoj të mos paguhem nga Bashkia. E bëj këtë me dëshirë. Vetëm për të shërbyer, pasi duhet të japim mesazhin për të qenë bashkë, për të kaluar vështirësitë bashkë dhe për ta bërë këtë vendin tonë së bashku. Pa përkushtim, e pa sakrifica kjo gjë nuk bëhet e mundur. Prandaj do të guxojmë dhe t’ia dalim.

Në këtë jetën tonë, e gjitha gati gri, kur tërë kohën vetëm shajmë e kritikojmë, vetëm mohojmë, hedhim vetëm baltë, dalin ‘’heroina’’ të tilla si Dëbora Keçi, pa rrahur gjoksin, por të futur thellë në vetëdijen e tyre, bëjnë më të veçantën, pa kërkuar, por vetëm të japin më të mirën që kanë.

M’i tregoi kjo mburrje e Durrësit tonë, të gjitha planet që do të zbatojë me 23 shkurt 2020, deri tek fonija, deri tek folësi, deri tek këngëtarët dhe gjallërimi i qendrës së qytetit, deri, deri….. Një e vetme, që s’mbetet vetëm. Nga fuqia shpirtërore e saj, nga fantazia dhe idealizmi i saj, nga besimi që njerëzit të mbahen afër dhe të motivohen. Këtë kërkon të bëjë e të realizojë Dëborah Keçi, në të dielën e 23 shkurtit 2020 në Durrësin e vendlindjes së saj.

Suksese Dëborah, durrsakja e jonë e mrekullueshme! Besoj shumë se do t’ia dalësh. Të jap fjalën, se unë do të bëj pjesën time. Nën drejtimin tënd, besoj se edhe të tjerët do të bëjnë të tyren.

Faqebardhë Dëborah!