Nuk është thjesht vetëm arsye tradite, që volejbolli i meshkujve në Durrës është në pozicione elitare. Janë një varg faktorësh që po t’i mbledhësh, vijnë në një emërues të përbashkët: Shërbejnë si oksigjen në frymëmarrjen e plotë të një “trupi” gjithnjë të shëndetshëm, në se tentojmë të krijojmë figurën me volejbollin.
Ndër faktorët e dorës së parë rradhisim punën me moshat, thithjen pranë sportit të rrjetës të specialistëve të mirëfilltë, punën sistematike të ditës dhe të së nesërmes që kryen klubi shumësportësh Teuta, kujdesin financiar të Bashkisë, stërvitjen gjithëvjetore dhe me ngarkesë etj, etj. Teuta është ndër ekipet e rralla në Shqipëri, që tenton të bëjë në mënyrën më të mirë edhe merkato.
Në vite janë thithur pranë ekipit volejbollistë cilësorë nga përfaqësime të ndryshme të vëndit, por edhe të huaj që natyrisht shoqërohen edhe me kosto lakmuese financiare. Veçanërisht në dy dekadat e fundit, Teuta në volejboll është kryezonja e kampionateve kombëtare duke lënë të befasuar rivalët e saj jo vetëm për sukseset, por edhe për performancën solide të paraqitur.
Kolektiviteti, harmonizimi i të gjithë treguesve, drejtimi autoritar, një presidencë aktive dhe zgjidhëse e problemeve të lojtarëve, i kanë dhënë nam të mirë Teutës në këtë sport. Ajo që na nxiti argumentin në këtë koment janë prezantimi i javës së kaluar i dy dukurive pikante: së pari Teuta me 22 shtator 2012 pronëson kupën e FSHV-së brenda në Tiranë dhe së dyti pritja emocionuese dhe entuziaste bërë nga Sami Gjergji.
Pa dashur t’i bëjmë reklamë presidentit të kompanisë së njohur Floryhen dhe të Primalatit tema e shkrimit fokusohet në një problem të qenësishëm dhe kardinal: Sa është biznesi i lidhur me sportet dhe sa ndikon në mbështetje të tyre? Është një praktikë e njohur në botën e huaj dhe të qytetëruar, angazhimi finaciar i atyre që quhen sponsor, donatorë apo presidentë klubesh.
Teuta në volejboll është kryezonja e kampionateve kombëtare duke lënë të befasuar rivalët e saj jo vetëm për sukseset, por edhe për performancën solide të paraqitur. Kolektiviteti, harmonizimi i të gjithë treguesve, drejtimi autoritar, një presidencë aktive dhe zgjidhëse e problemeve të lojtarëve, i kanë dhënë nam të mirë Teutës në këtë sport
Duhet të jesh njeri me zemër të madhe, të kesh bonsensin e kohës, të udhëhiqesh nga ndjenja të mirëfillta qytetare dhe përkushtuese ndaj komunitetit që të rrethon, që të ndash diçka nga pasuria jote dhe t’ia “hedhësh” sportit. Forcimi i ndjenjës kombëtare dhe lokale në përfaqësime sportive të natyrave të ndryshme, absolutisht që bëhet në atë formë që kërkohet në se një individ i pasur apo grupe prej tyre, të hedhin vështrimin nga ajo që quhet sponsorizim i sporteve. Dhe fatmirësisht në Durrës ekzistojnë praktika inkurajuese, optimiste dhe shpresëdhënëse që këto donatorë që më së shumti janë të sferës afariste, të ndihmojnë në përparimin e sporteve.
Në futboll është rasti i Hasanbelliut. Në basketboll tenton të akomodohet bindshëm Eduart Tafa. Po praktikat janë shumë të rralla. Pse e përmendim Sami Gjergjin? Mbetet unikal që në zanafillë praktika e tij, që sigurisht është kthyer në përvojë nga më të mirat. Dëshirojmë që ta trajtojmë edhe si pikë referuese, jo thjesht për ta veshur me komplimenta atë se sa të ngacmojmë fakte nga prezantimi i tij me volejbollin e Teutës.
Nga një anë është thjeshtësia dhe modestia e zotit Gjergji, nga ana tjetër vonesa jonë në kapjen e kësaj dukurie mbresëlënëse, për atë çka bërë dhe bën ai për volejbollin ka mbetur deri tani brenda një guacke kontur mbërthyer. Thënë shkoqur, hapur dhe qartë: Në sukseset e volejbollit durrsak, mbetet si kapitull i artë dhe evidentues mbështetja financiare e njeriut të urtë, të biznesmenit kërkues, dashamirësit të sportit Sami Gjergji.
17 vite pranë volejbollit duke dhënë ndihmesë herë në merkaton e sportistëve, herë në shpërblimet dhe zbutjen e financave të tyre, herë në mbështetjen me bazë materiale. Dhe volejbolli durrsak nuk ia harron këto ndere Sami Gjergjit. Çfarë ndodhi të enjten e 27 shtatorit 2012? Mikrobuzi i klubit shumësportesh Teuta, i mbushur me volejbollistë dhe shoqëruesit e tyre mori drejtimin përtej sektorit Qendër që përfshihet në Bashkinë e Sukthit.
Volejbollistët, sekretari i klubit shumësportesh Teuta Emiljan Jani dhe presidenti i ekipit Markelian Rexhepi kishin vendosur t’i bënin Sami Gjergjit një surprizë të këndshme. Kupën e FSHV-së të fituar në Tiranë me 22 shtator, vendosën t’ia dhuronin nëpërmjet një ceremonie shumë ngacmuese në mbresa. Kjo simbolikë justifikohej thjesht me faktin: Për ndihmesën e madhe të dhënë nga ky njeri i biznesit për volejbollin dhe Teutën. Në simbolikë përfshihej edhe një uniformë sportive.
Sami Gjergji i përlotur para kësaj të papriture, vlerësoi punën e mirë që po bëhet me volejbollin dhe shprehu gadishmërinë për të qenë aktiv edhe në vijimësi. Ai me këtë rast prezantoi edhe të birin Emiljanin, i cili mbaroi studimet e larta në financë jashtë vendit, që të angazhohet me volejbollin si vazhdues i veprimtarisë aktive të biznesit që drejton prej vitesh i jati.
Në mbrëmjen e 27 shtatorit Emiljani ftoi ekipin e volejbollit në Vila Park, duke krijuar një mjedis të jashtëzakonshëm entuziast dhe premtoi se edhe më tej volejbolli mbetet prioritet i angazhimeve të tyre. U dhanë porosi që të blihen uniformat e ekipit, topat e lojës dhe të stërvitjes dhe të sponsorizohen disa veprimtari ndërkombëtare të planifikuara tani afër nga klubi durrsak i shumësporteve. A ndiqet ky shembull edhe nga të tjerë?
Durrësi ofron mundësi të favorshme me bizneset që janë të vendosura këtu, që të japin ndihmesë financiare jo vetëm në volejboll por edhe në sporte të tjera të traditës si not, basketboll, atletikë, pingpong, boks, mundje, çiklizëm etj. Na kujtohet një fakt që na e përmëndi gjatë një takimi me të, drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Eduart Ndreu.
Ai tha kështu: “Ekipi i njohur i futbollit i Hamburgut financohet tërësisht nga autoriteti portual i këtij qyteti”. Zoti Ndreu është aktiv edhe ai në futboll, por ndoshta meriton të hedhë vëmëndjen edhe nga lojërat, pasi ndërmarrja që drejton është potente për t’iu ndjerë zëri në kësi financimesh. Në se do të kishim edhe disa Sami Gjergji të tjerë, Teuta përfaqësuese e Durrësit në sporte do të fitonte edhe më shumë reputacion, pse jo edhe jashtë vendit.