Një Shën Valentin mes lulesh në Durrës. Për dyqanet që tregtojnë lule natyrale, kjo është një nga ditët e vitit më të ngarkuara me punë.

Shumë nga porositë janë bërë tashmë gati dhe po dorëzohen, ndërsa të tjera vijojnë dhe përgatiten. Kërkesat më të shumta vijnë nga klientët meshkuj, që duan të surprizojnë partneret apo bashkëshortet e tyre.

“Një ditë të vitit, meshkujt duhet të bëhen një cikë romantikë. Përsa i përket porosive, më i preferuari është trëndafili i kuq, është më virali. Ka qenë dhe do të jetë përherë ai. Por është dhe trëndafili blu që është trendi i këtij viti bashkë me arushin stitch, pastaj dhe arushët e tjerë janë të preferuar. Kompozimet janë nga më të ndryshmet”, – thotë për “DurrësLajm” administratorja e dyqanit “Angel Flowers Shopp”.

Duke qenë se preferencat janë të larmishme edhe çmimet vijojnë nga ato më të lirat deri tek ato të kripura.

“Çmimet janë nga më të ndryshmet fillojnë nga më minimalja, që është 2500 lekë (të vjetra) dhe tek më të shtrenjtat 150 mijë lekë apo më shumë. Sot janë përgjithësisht porosi normale, por maksimumi arrin në 300 mijë apo 500 mijë lekë. Këto janë deri më tani, sepse mund të ketë surpriza gjatë ditës.”

E ndërsa paraditja e festës së të dashuruarve është e dedikuar kryesisht surprizave me buqeta me lule e arushë, darka vijon me rezervime nëpër restorante dhe hotele për një Shën Valentin për të mos u harruar.

M.B.