E njohur ndërkombëtarisht si Dita e të Dashuruarve, Shën Valentini nuk është një festë që kalon pa u vënë re.
Për bizneset, sidomos ato që tregtojnë lule, kjo është një nga ditët më të ngarkuara me punë të vitit.
Madje kërkesat, nisin që 24 orë përpara, në mënyrë që më 14 shkurt, porositësi ta ketë gati dhuratën për njeriun e zemrës. Dashuria duket se ka “lulëzuar” në Durrës, pasi siç konstatohet nga bizneset, porositë janë të shumta.
Por sa janë të predispozuar durrsakët të shpenzojnë për dashurinë, kur çmimet e luleve kanë pësuar rritje?
“Dita ka qenë shumë e mirë, kemi pasur goxha porosi. Më të preferuar mbeten trëndafilat e kuq, por edhe ai në ngjyrë blu. Porositë e klientëve kanë shkuar deri në 150 mijë lekë të vjetra për një buqetë. Arushët janë një tjetër produkt që në ditën e Shën Valentinit ecin shumë dhe zakonisht të dashuruarit buqetën e kombinojnë me një arush dhe i marrin të dyja për dhuratë”,- thotë për “DurrësLajm” Alketa Musai, administratore e “Floraal Shop”.
Ngjyra që dominon në dyqanet e luleve është e kuqja, pasi ajo simbolizon dashurinë. Por trend i ri i këtij viti janë trëndafilët në ngjyrë të zezë apo blu, të destinuar më shumë për meshkujt. Dashuria duket se ndihet tek të gjitha moshat, madje vajzat dhe gratë kanë nisur të surprizojnë partnerët apo bashkëshortët e tyre.
“Moshat janë të ndryshme, nisin që nga 18-vjeçarët por edhe më të rinj. Nuk mungojnë as zotërinjtë60-70-vjeçarë që vijnë dhe blejnë lule për bashkëshortet. Në ditët e sotme, 90% e klientëve janë meshkujt, por ka nisur të rritet numri i grave që bëjnë dhurata në këtë ditë. Zakonisht ato preferojnë trëndafilin blu, të ziun dhe ngjyrat pikante për t’ia dhuruar të dashurit”,- thotë Musai.
Për ata që nuk duan të shpenzojnë shumë, një tufë mimoza apo një trëndafil i kuq mbetet gjithnjë zgjedhja kryesore, që nuk të lë në baltë…
M.B.