- Shën Vlashi asociohet me qytetin e Durrësit për shkak të kishës me të njëjtin emër që ngrihet në rrethinat e tij
DURRËS, 11 shkurt 2015 – Shën Vlashi, ky shenjtor i krishterë u martirizua në kohën e perandorit Licin. Kulti i tij u përhap në Europë në shek. VIII. Tek ai mbivendosen dy figura: njëra armene, tjetra ballkanike, ky i dyti i torturuar dhe i martirizuar në Durrës.
Qysh në shek. XIV përmendet në Shqipëri një manastir kushtuar atij, në malin Tomorr. Manastiri i tij më i rëndësishëm mbetet ai i Shënavlashit pranë Durrësit, një vend pelegrinazhi ku shkohej me shpresë për të gjetur shpëtim nga sëmundjet (dikur aty gjendej dhe një gur të cilit i atribuoheshin veti shëruese). Kisha të kushtuara atij ka pasur në Shkodër (shek. XIV), Kthellë, Skuraj, Gur i Bardhë, Gjonëm, Mazhë, Mëner, Bishqem, Gjuricaj, një kishë ortodokse e shek. XIX në Dhuvjan, madje dhe brenda kishës së Shën Ndout ndodhet shpella e Shën Vlashit.
Në fshatin që mban emrin e shenjtorit në qytetin bregdetar të Durrësit mblidhen çdo vit qindra e mijëra besimtarë të cilët luten të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre. Shën Vlashi lindi në Azinë e Vogël në krahinën e Pontit dhe jetoi në kohën e sundimit të mbretërisë së Likinit (308-323). Është koha kur Perandoria Romake po pësonte ndryshime të mëdha, pasi brenda saj kishte përplasje për ndarjen e pushtetit, ku Galerio, Kostandini, Maksimiani dhe Likini nuk pranonin Maksendin, i cili ishte august i Afrikës dhe Italisë.
Studimet në shkencën e mjekësisë dhe në shkrimin e shenjtë i dhanë mundësinë të njohin kufinjtë e botës kozmike dhe asaj hyjnore. Në këtë mënyrë, shën Vlashi u bë i aftë të jetë atë dhe udhërrëfyes i jetës shoqërore dhe shpirtërore i besimtarëve të Sebastisë. Si mjek, ai interesohej për trupin e njeriut ashtu si interesohet çdo mjek tjetër, por njëkohësisht shkonte më tej duke e parë trupin e njeriut si “tempull të Shpirtit të Shenjtë”. Kjo e bëri dhe më të ndjeshëm përballë sëmundjeve trupore dhe shpirtërore. Kështu shenjtori bëhet jo vetëm një mjek i trupit, por dhe i shpirtit. Besimtarët kremtojnë dhe nderojnë Shën Vlashin si një shenjtor, i cili kujdesej për trupin, duke afruar vizita dhe ilaçe si mjek i trupit dhe shpesh herë falas. Edhe pse iu nënshtrua torturave dhe mundimeve të tmerrshme fizike, ai kurrë s'hoqi dorë nga bindjet e tij.
Besimi, urtësia dhe shenjtëria e shën Vlashit nuk mund të mbeteshin të kufizuara në krahinën në të cilën ai jetoi, ndaj shenjtori filloi të nderohet në shumë vende të botës, ashtu si dhe në vendin tonë.





