Vetëm 7 km nga qendra e Durrësit, por fshati Shënavlash të ngjan me zonat e humbura malore, ku infrastruktura rrugore nuk ka mbërritur ende. Vetëm rruga që të çon në qendër të fshatit dhe ajo drejt tregut të makinave plotësojnë parametrat për t’u konsideruar akse rrugore. Rrugët e tjera njohin vetëm çakullin, pasi për asfalt as që bëhet fjalë.

Aksi “Manastiri” që lidh qendrën e fshatit me kishën e ShënVlashit ka disa muaj që i është nënshtruar rikonstruksionit, por punimet janë kthyer në makthin më të madh të banorëve. Siç duket qartë nga pamjet filmike, automjetet dredhojnë mes çakullit dhe pusetave të hapura prej muajsh. Gjatë natës, situata është edhe më e vështirë, sepse mungon ndriçimi. Askush nuk di të thotë se kur do të përfundojnë punimet, sepse asgjë tabelë nuk është vendosur përgjatë gjithë gjatësisë së saj. Për banorët e zonës, situata konsiderohet skandaloze.

“Rruga është bërë shumë keq. Më përpara ka qenë më mirë. Të gjitha pusetat janë mbushur me materiale, me mbeturina, sepse i kanë lënë të hapura. Furgoni që merr kalamajtë për në kopësht nuk ngjitet prej rrugës. Detyrohemi t’i zbresim fëmijët deri në qendër”,- thotë një banore.

“Jemi në vitin 2021. Fatkeqësisht nuk është një fshat i humbur, Jemi dy minuta larg Durrësit dhe për mua këto rrugë janë turp dhe skandal”,- thotë një tjetër banor.  

Trotuari është një problem më vete, pasi është vetëm në njërën anë të këtij aksi dhe nuk ka të njëjtën gjerësi përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës. Në disa vende ka nisur të cedojë, megjithëse sapo ka përfunduar.

“Trotuari duhet në të dyja anët, nuk duhet kaq i gjerë. Atje lart e kanë lënë 1 metër, këtu e kanë bë 3-4 metra, si fushë futbolli, kurse këtu nuk kanë bërë farë trotuar”,- thotë banorja e zonës.

Dëmet e tërmetit janë një problematikë më vete për disa nga familjet e këtij fshati. Kryefamiljari Halil Ibra ka marrë vetëm 2.5 milionë lekë të vjetra, sepse shtëpia i është vlerësuar me dëmtime DS2. Për më shumë se një vit ka jetuar në çadër, në oborrin e shtëpisë, ndërsa riparimet ka vetëm pak që i ka filluar.

“Kemi flejt në çadër që kur ra tërmeti. Erdhi e pa vetë kryetari i njësisë administrative. Na tha hiqni korentin, sepse uji kishte hyrë në shtëpi. Përbënte rrezik”,- tregon Halili.

Sipas tij, shuma e dëmshpërblimit nuk i mbulon aspak dëmet që i ka pësuar shtëpia.

“Ta provojë kush të dojë të riparojë shtëpinë me kaq lekë. Me 2.5 milionë lekë të vjetra as banjon nuk rregullon dot”,- thotë kryefamiljari.

Në oborrin e shtëpisë janë vendosur trarët që do të shërbejnë për përforcimin e godinës dhe sistemimin e çatisë së dëmtuar nga tërmeti. Çadra e hapur zë një pjesë të mirë të oborrit, dëshmi e ditëve të vështira që kjo familje si dhjetëra të tjera kaloi për shumë muaj me radhë.

Vetëm pak larg Durrësit, por shërbimet që duhet të ofrojë pushteti lokal për këta banorë duken luks. Aty nuk mungojnë as rastet kur një rrugë ka nisur të shtrohet me asfalt, por më pas punimet janë çuar deri më gjysëm të gjatësisë së aksit!

Megjithëse prej vitesh pjesë e bashkisë dhe jo më e ish-komunës Rrashbull, rehabilitimi i infrastrukturës rrugore të kësaj zone duket se do të kërkojë vite.

M.B.

VIDEO: