Kollë, dhimbje fyti, temperaturë: është e pashmangshme që fëmijët të ftohen ose të sëmuren nga gripi stinor. Sëmundje të tilla të lehta janë diçka më se e zakonshme për moshat e vogla. Por këtë vit, prindërit përballen me frikën e madhe të Covid-19.

Atëherë, si mund ta dallojnë se çfarë I ka prekur të vegjlit e tyre? Simptomat në fakt janë shumë të ngjashme mes tyre, dhe diagnozën e sigurt e vendos padyshim testi i tamponit. Ka për çdo rast edhe disa mënyra për ta dalluar paraprakisht nëse të miturit janë pozitivë. Ekspertët thonë se nëse fëmija ka hundët e bllokuara dhe pak kollë pa shenja të tjera siç janë shqetësimet gastrointestinal, mund të thuhet me siguri se është ftohje ose grip klasik.

Simptomat që duhet të shqetësojnë prindërit sipas tyre janë humbja e shijes dhe nuhatjes, kolla e thatë dhe e vazhdueshme, dhimbjet e barkut, dhimbja e kokës dhe vështirësitë në frymëmarrje.

Shifrat po e konfirmojnë gjithmonë e më shumë se përgjithësisht, Covid-19 mund të mos jetë i rrezikshëm për më të vegjlit, por nga ana tjetër ata mund të kthehen të bartës të heshtur dhe ta përhapin sëmundjen edhe kur janë asimptomatikë.