Cigaret elektronike konsiderohen si zgjedhja ideale për ata që duan të lënë duhanin, por një studim i ri zbulon se kjo alternativë mund të dëmtojë shëndetin oral.

Buzëqeshja e shëndetshme mund të dëmtohet në mënyrë të pariparueshme nga avulli i cigares elektronike.

Së bashku me efektet e tjera të dëmshme, sipas hulumtimit të botuar në Journal of the American Dental Association, avullimi mund të kontribuojë në prishjen e dhëmbëve.

Kjo ndodh sepse përmbajtja e cigareve elektronike përfshin edhe disa përbërës me sheqer, të cilët ngjiten në dhëmbë për shkak të strukturës ngjitëse të avullit të lëngshëm.

Kjo nxit zhvillimin e kariesit, i cili mund të çojë në dëmtimin e dhëmbëve nëse nuk trajtohet shpejt, sipas ekspertëve.

Lëngjet e avullit ndryshojnë gjithashtu mikrobiomën e gojës, duke e bërë atë më “miqësore” me bakteret që shkaktojnë prishjen e dhëmbëve.

Për më tepër, prishja e dhëmbëve inkurajohet nga avullimi në zona ku normalisht nuk ndodh, siç janë skajet e poshtme të dhëmbëve të përparmë.

Për studimin, ekipi hulumtues i udhëhequr nga mjekia Karina Irusa analizoi të dhënat e 13.000 pacientëve që iu nënshtruan trajtimeve në klinikat dentare të Universitetit Tufts nga viti 2019 deri në vitin 2022. Të gjithë pjesëmarrësit ishin mbi 17 vjeç.

Ka disa studime laboratorike që kanë zbuluar se avulli nga lëngu i cigareve elektronike nxit bakteret e dëmshme në gojë.

“Bakteret që në fakt shkaktojnë përkeqësimin, kur ekspozohen ndaj këtij avulli, duket se janë më aktive, më agresive dhe mund të mbijetojnë në kushtet më të vështira”, thonë studiuesit.

Prandaj, stomatologët duhet të informojnë pacientët e tyre nëse pinë cigare elektronike, përfshirë edhe adoleshentët, pasi 8% e nxënësve të shkollave të mesme në SHBA pranuan se përdornin cigare elektronike në vitin 2021, sipas një njoftimi për shtyp të Universitetit Tufts.

Sa i përket rutinës së higjienës orale të avulluesve, ajo duhet të përfshijë një regjim rigoroz të larjes dhe pastrimit me fill, së bashku me përdorimin e një paste dhëmbësh me fluor dhe shpëlarës goje.

Takimet me dentistin duhet të jenë mjaft të shpeshta, deri në më shumë se dy herë në vit, rekomandon Irusa.