2 maj 2015 – Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Edmond Spaho, në një deklaratë për shtyp mbrëmjen e së premtes së 1 majit informoi mediat për një incident në zonën e Shkozetit. Spaho akuzoi Edi Ramën dhe kryebashkiakun Dako si inspirues të incidentit. Ndërsa kandidatja Grida Duma po kryente një takim elektoral në Shkozet, makina me flamuj të PS-së kanë provokuar vazhdimisht pjesëmarrësit dhe më vonë i kanë goditur edhe me gurë ata. Të paktën një nga mbështetësit e kandidates Duma është përgjakur nga goditjet me gurë dhe ka marrë mjekime në urgjencën e qytetit. Spaho theksoi në deklaratën e tij se për këtë incident sapo ishte informuar edhe OSBE-ja në Tiranë.

Pavarësisht nga problemet, që ka PD-ja në marëdhëniet me mediat në Durrës, pavarësisht mungesës së profesionalizmit të “specialistëve” të PR-së të sjellë nga Tirana nga kandidatja Duma, pavarësisht mospërgjigjes së pyetjeve të gazetarve nga politikani veteran Spaho, incidenti është shumë problematik.

Durrëslajme mësoi se PD-ja ka filmime të incidentit si edhe filmime të pjesëmarrësve në incident duke pirë kafe pune me kryebashkiakun Dako. Mbetet për t’u parë nëse të tilla filmime ekzistojnë vërtet dhe do të bëhen publike nga PD-ja durrsake apo jo. Në këtë incident të përgjakshëm të fushatës na tërhoqi vëmendjen edhe tentativa e policsë për të minimizuar ngjarjen duke e klasifikuar si zënie me grushta midis adoleshentësh.

Incidenti nuk duhet marrë aq lehtë, sepse djaloshi i përgjakur (i cili bashkë me PD-në ka bërë edhe kallëzim për ndjekje penale) është nga një familje që në tre breza është përballur me diktaturën. Gjushi ka kundërshtuar futjen me forcë në kooperativat bujqësore. Babai ia ka vënë “kufirin të thana” kryeministrit komunist Adil Çarçani në ditët e dhjetorit 1990 në ILB Kamëz, ndërsa i biri përgjaket 50 ditë para zgjedhjeve lokale.

Në këtë incident mbetet për t’u parë qëndrimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë e cila ka një personel mjaft të kualifikuar për të tilla incidente si psh. DCM Zhardine ish parashutist apo atasheu Brian Street.

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”