DURRËS, 5 maj 2015 –Lajmi që dy kandidatët kundërshtarë për “presidencën” e Durrësit shtrënguan duart më 5 Maj 2015 te Mauzoleu i Dëshmorëve ka bërë xhiron e të gjitha medieve. Jo vetëm ka shpëtuar fiskimi me kamera i këtij çasti, por nuk është vënë në dukje fakti që Grida Duma kishte ardhur në ceremoninë, e organizuar nga bashkia, e pashoqëruar nga krerët vendorë apo deputetët e PD-së bregdetare. Kurse Vangjush Dako kishte me vete deputetë, Prefekt, kryetar PS-je etj.

BARASLARGËSIA

Ky kontrast është domethënës. Duma, që vjen nga një familje e majtë dhe e lidhur me diktaturën, ishte pranishme si qytetare “e përvuajtur”, pjesë e turmës së veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve, ku mund të “peshkojë” edhe vota. Distanca e baraslarguar nga të djathtët, të rinj apo të vjetër, “basha-berishistë” apo “olldashistë”, ka të bëjë me një strategji të mirëmenduar komunikimi. Duma po “kuron” imazhin e vetvetes duke u paraqitur në versionin “soft”, ndryshe nga “hard-llëku” kur fliste në SHQUP, ekrane. Dorështrëngimi me Dakon ishte një gjest që favorizon më shumë kandidaten “blu” se atë “jargavan”. Thjesht se kjo do të perceptohej si njëfarë ndjese e Dakos për incidentin me djalin e kryetarit të degës së PD-së Osman Stafa. Por ky i fundit nuk duhej ta shoqëronte Dumën te Dëshmorët!

“KOPJIMI”  

Duma synon të hedhë pas krahëve të kaluarën e saj të “egër” dhe klimën e tensionit. Bie në sy se kandidatja demokrate nuk e zgjati as me incidentin (me përjashtim të “tutorit” të selisë qendrore Edmond Spaho) as me denoncimin e Armand Telitit për shtimin e listës së zgjedhësve nga Preza. “Shpura” e saj nga Tirana i kanë dhënë ultimatum Stafës të mos prononcohet për mediet. Nuk dihet nëse Duma po kopjon kundërshtarin, kur në mandatin e parë për kryetar bashkie përballë Telitit, Dako shmangu kryetarin e PS-së, Gazmir Bizhga.

NGA BUSTI I AZEMIT TE MAUZOLEU

Por është fakt anashkalimi i kryedemokratit durrsak. Një vit më parë, më 5 maj 2014, PD-ja harroi të bënte homazhe në Mauzoleun e Dëshmorëve, se ishte kapluar nga “ethet” e zgjedhjeve (shih faksimilen e “Dyrrah”-ut, http://www.durreslajm.com/politike/durr%C3%ABs-%E2%80%9Cethe%E2%80%9D-maji-pd-harron-d%C3%ABshmor%C3%ABt). E ndreqi më vonë me homazhet te busti i Azem Hajdarit, i realizuar me sponsorizimin e Stafës.

QETËSI DHE KULISA

Sjellja me stil perëndimor e Dumës paralajmëron një fushatë të qetë publike, por me kulisa të shumta, të dukshme e të padukshme për thithjen e votave. Duma e ka të sigurt votën tradicionale “blu”, por i intereson të marrë si nga pjesa “gri” e elektoratit ashtu dhe nga ajo “kuqe”, ku bëjnë pjesë farefisi i saj dhe veteranët.

 

/red. pol. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/