DURRËS, 28 prill 2015 – Teksa më 22 prill 2015 botohej një koment i departamentit të informacionit dhe shtypit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë lidhur me incidentin në sektorin kosovar të kufirit maqedonas-serb, të nesërmen, më 23 prill 2015, ambasadori i Federatës Ruse, Aleksander Karpushin vjen në Durrës dhe “sajdiset” nga Prefekti i qarkut Rolant Xhelilaj dhe kryetari i këshillit bashkiak Alban Ramohitaj (shih portalin “durreslajm.com”: Nishani refuzoi Putinin, ja si i përgjigjet nga Durrësi ambasadori rus)
Nëse Kremlini nuk e lë të ftohet hallva “për sulmin natën e 21 prillit 2015 të një grupi personash të armatosur në pikën kufitare maqedonase “Goshince” (Gosince), që ndodhet në sektorin kosovar të kufirit midis Serbisë dhe Maqedonisë”, por flet pas disa orësh, Tirana kujtohet me 5 ditë vonesë (!), më 27 prill 2015, nga emetimi i deklaratës së Moskës. MPJ e Shqipërisë thotë se “Ambasadori i Federatës Ruse, z. Aleksander Karpushin, u thirr më 27 prill 2015 në një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. MPJ i shprehu Ambasadorit pakënaqësinë e palës shqiptare dhe i kërkoi sqarim lidhur me deklaratat për shtyp të para pak ditëve [Kur? Pse kaq vonë, nga 22 në 25 prill? – “Dyrrahu”] të MPJ-së ruse”.
Më e keqja është se publikut shqiptar nuk i bëhet e ditur nga dikasteri i Bushatit deklarata ruse, që vërtet, është skandaloze (“Incidenti në kufirin maqedonas dëshmon për kontradikta të thella ndëretnike dhe mbi një potencial konfliktesh që janë pranishme në këtë pjesë të Ballkanit. Situata është përkeqësuar, para së gjithash, për shkak të një deficiti serioz në zbatimin e ligjit dhe sigurinë në Kosovë, që është pasojë evidente e parregullsisë së problemit kosovar në tërësi. Nuk duhen lënë jashtë vëmendjes dhe parullat për Shqipëri të Madhe që po dëgjohen gjithmonë e më shpesh në rajon [nënvizimet janë të “Dyrrah”-ut / “durreslajm.com]).
Pasi të ishin cituar fjalët e mësipërme, do të tingëllonin më të kuptueshme komentet e Tiranës: “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë i konsideron deklaratat e MPJ-së ruse të papranueshme dhe akuzat ndaj dy shteteve sovrane të Shqipërisë dhe Kosovës për ngjarjet e fundit në Maqedoni, destabilizuese.
Këto deklarata përbejnë një shantazh dhe nuk i shërbejnë aspak klimës konstruktive në rajon e aq më pak parimeve të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare.
Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat në BE, dhe çdo deklaratë shantazhuese e Rusisë do të shihet veç përmes këtij prizmi.
Ambasadorit iu theksua se Federata Ruse duhet të shohë realitetin në sy në Ballkanin Perëndimor, ku pavarësia e Kosovës përben një kontribut të qenësishëm për të ardhmen demokratike dhe stabilitetin rajonal”.
Në politikë, gjeopolitikë dhe diplomaci reagohet në kohën e duhur dhe me nivel trajtimi. Perëndimi ka njoftuar me kohë për konspiracionin rus në Ballkanin Perëndimor, në aleancë me qarqet antishqiptare të Beogradit dhe Shkupit, si dhe më kolonën e pestë në Prishtinë, Tiranë, Durrës e gjetiu.
DOKUMENTET
1. Koment i departamentit të informacionit dhe shtypit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë lidhur me incidentin në sektorin kosovar të kufirit maqedonas-serb
Moskë, më 22 prill 2015
Kemi pritur me shqetësim të thellë njoftimin për sulmin natën e 21 prillit 2015 të një grupi personash të armatosur në pikën kufitare maqedonase “Goshince” (Gosince), që ndodhet në sektorin kosovar të kufirit midis Serbisë dhe Maqedonisë.
Sipas raportimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë rreth 40 veta, me uniformë maskimi me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë lidhur 4 policë dhe i trajtuan në mënyrë poshtëruese, duke e xhiruar ngjarjen me video-kamera. Dëgjoheshin kërcënime të motivuara politikisht dhe etnikisht. Pasi u dhanë të kuptonin se bëhej fjalë për “paralajmërim”, kriminelët u larguan.
Incidenti në kufirin maqedonas dëshmon për kontradikta të thella ndëretnike dhe mbi një potencial konfliktesh që janë pranishme në këtë pjesë të Ballkanit. Situata është përkeqësuar, para së gjithash, për shkak të një deficiti serioz në zbatimin e ligjit dhe sigurinë në Kosovë, që është pasojë evidente e parregullsisë së problemit kosovar në tërësi. Nuk duhen lënë jashtë vëmendjes dhe parullat për Shqipëri të Madhe që po dëgjohen gjithmonë e më shpesh në rajon.
Konsiderojmë se përpjekjet e autoriteteve të Maqedonisë për rivendosjen e rendit në rajonin problematik të vendit do të marrin mbështetjen e duhur ndërkombëtare.
2. Njoftim i MPJ të Shqipërisë. Thirret për sqarime Ambasadori i Federatës Ruse
Tiranë, 27 prill 2015
Ambasadori i Federatës Ruse, z. Aleksander Karpushin, u thirr më 27 prill 2015 në një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
MPJ i shprehu Ambasadorit pakënaqësinë e palës shqiptare dhe i kërkoi sqarim lidhur me deklaratat për shtyp të para pak ditëve të MPJ-së ruse.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë i konsideron deklaratat e MPJ-së ruse të papranueshme dhe akuzat ndaj dy shteteve sovrane të Shqipërisë dhe Kosovës për ngjarjet e fundit në Maqedoni, destabilizuese.
Këto deklarata përbejnë një shantazh dhe nuk i shërbejnë aspak klimës konstruktive në rajon e aq më pak parimeve të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare.
Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat në BE, dhe çdo deklaratë shantazhuese e Rusisë do të shihet veç përmes këtij prizmi.
Ambasadorit iu theksua se Federata Ruse duhet të shohë realitetin në sy në Ballkanin Perëndimor, ku pavarësia e Kosovës përben një kontribut të qenësishëm për të ardhmen demokratike dhe stabilitetin rajonal.
/red. pol. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/