NGA THANAS MUSTAQI
27 korrik 2015 – Kuptohet, jo gjithçka është OK në plazhet e Durrësit. Por kjo gjë nuk pa pse të jetë motiv për të sulmuar turizmin në këtë qytet bregdetar. Përkundrejt lajmeve në televizione apo medie on-line për “braktisjen” e Durrësit, pa pritur gazetarët “shqyejnë” sytë kur të huajt paraqesin me foto, njuze, video një Durrës të mbingarkuar me pushues dhe e shprehin këtë. Jo vetëm kaq, mjafton të lundrosh me një shikim të shpejtë në sajte agjencish telegrafike, turistike, mediesh on-line ndërkombëtare, gjen fjalë të mira për qendrën kryesore të pushimeve në Shqipëri. Natyrisht, mediet shqiptare ushtrojnë trysni ndaj operatorëve turistikë durrsakë për reklamë (këtu kanë ç’të reflektojnë pronarët e hoteleve, lokaleve, restoranteve mbi rëndësinë e marketingut). Por kur lajmet përkthehen në anglisht nga këto medie, është antireklama më e keqe ndaj Durrësit dhe Shqipërisë.
Më e keqja është kur arritjet në turizmin në qytetin e Durrësit i shpërfillin organet shtetërore. Kështu, ka një qëndrim të dyfishtë të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB). Kur i duhet të reklamojë punën për bashkëpunimin me policinë e shtetit, bashkitë dhe drejtoritë e shëndetit publik, u bëhet reklamë Shkëmbit të Kavajës, Plazhit kryesor dhe Lalëzit për postat “blu”, kullat e vrojtimit dhe qendrat shëndetësore.
Kur bie fjala për dyndjen e turistëve të huaj, këtu vepron kuti tjetër. Kështu, në llogarinë e vetë në FB, AKB-ja reklamon një anije turistike në Sazan me 119 pushues, nga të cilët vetëm 12 ishin të huaj apo mbërritjen e dy jahteve në Sarandë. Por hesht për faktin se vetëm më 22 korrik 2015 në portin e Durrësit ishin 7 jahte! Më 23 korrik 2015 erdhi kroçera “Thomson Majesty” me 1 568 turistë nga 14 vende të botës në bord.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/