14nëntor 2015 – Franca u përgjak por nuk u shemb. Mbrëmë fitoi vitaliteti i kombit francez, i demokracisë së tij të kalitur në revolucione e luftëra, e frymëzuar nga idetë e filozofëve ndër më të mëdhenjtë të të gjitha kohërave, e humanizuar nga një shoqëri e hapur, e kulturuar, e evropianizuar.

Shqipëria, elita e së cilës por jo vetëm, ushqen simpati të forta për kombin dhe shtetin francez, i gjendet pranë në këtë sfidë, si komb e shoqëri europiane multifetare në harmoni, si anëtare e NATOS, si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Shqipëria ndan dhimbjen për viktimat, përpjekjet e përbashkëta në luftë kundër terrorizimit dhe rrezikun e kryerjes edhe në Shqipëri të akteve terroriste. Është koha që të jemi bashkë, më shumë se kurrë më parë, me të gjitha kombet e qytetëruara, përballë sfidës terroriste edhe me armët e luftës ballore edhe me armët e dijes dhe kulturës.

Edhe Shqipëria mund të goditet nga aktet terroriste. Paralajmërimet nuk kanë munguar. Shkaqet janë më shumë jashtë, por edhe ca brenda nesh. Ndaj duhet edhe solidaritet me kombet e qytetëruara dhe unitet mbarëkombëtar.

Kjo vlen edhe në rastin e kërcënimit bërë ndaj Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me tekst te qartë kërcënues terrorist të ekstremizmit islamik me emërtimin ultra-majtist “Brigadat e Kuqe”. Por, uniteti me ministrin kërkon domosdoshmërisht seriozitetin e tij që uniteti me të, të jetë bindes, i sinqertë, i vullnetshëm.

Më se pari shteti duhet te mobilizohet për të provuar se kërcënimi është vërtetë paralajmërim terrorizmi islamik dhe ta godasë atë. Por, fare mire ai mund të jetë edhe një kërcënim i krimit ordiner të organizuar siç ndodhi në rastin e bombës në farmacinë e babait të ministrit, qofte për shkakun e cenimit të interesit të bandës nga lufta kundër krimit apo me keq, nga cenimi i interesave të njërës bandë për hir të interesave të bandës tjetër, mund të jetë edhe një kërcënim vetëm me fjalë nga njerëz pa këllqe për kësi aktesh, por për të njëjtat shkaqe, mund të jetë edhe një “shaka pa kripë” si bombat false të kalamajve të shkollave apo shashkat mediatike a të rrjeteve sociale e deri tek një sajesë e vetë ministrit në këto kohe kur ai ka qenë e është në qendër të akuzave për përfshirje apo mbështetje të grupeve të caktuara kriminale.

Të gjitha këto alternativa mund të shtrohen për shkak se për e rreth ministrit kanë qarkulluar e qarkullojë mediatikisht e politikisht një mori indiciesh që nxisin, edhe tek më skeptiku, dyshimin për mundësinë e përfshirjes së tij në afera kriminale e kur një pjesë e publikut ka bindjen se kjo nuk është një hipoteze, por një e vërtetë.

Alternativat forcohen edhe nga fakti i shpejtësisë së ndodhjes së ngjarjeve – aktet terroriste në France që la boten pa frymë – dërgimi i mesazhit tek ministri Tahiri që sot herët në mëngjes e vetëm tek ai – publikimi i menjëhershëm, si me vrap, i mesazhit në medie, por jo në faqen zyrtare të ministrisë.

Tek kjo kategori e gjerë lind pyetja: pse ky kërcënim pikërisht tek ministri Tahiri? Pse jo tek Drejtori i SHIK, pse jo tek Kryeministri, pse jo tek Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë, tek Ministri i Mbrojtjes, apo Prokurori i Përgjithshëm, tek prokurorë apo gjykatës të caktuar të Krimeve të Rënda që janë marrë me hetime akuza e dënime të grupeve kriminale apo edhe atyre terroriste?

A është Ministri Tahiri simboli shqiptar i luftës kundër terrorizimit islamik që meritoka të jetë targeti i parë i tyre? A mund të na provojë ndokush se përgjigja e kësaj pyetje është PO.

Pas kësaj meriton gjithë mbështetjen dhe unitetin rreth tij.

Natyrisht, edhe nëse përgjigja është jo, askush me mend në kokë e zemër në kraharor nuk ia uron asnjë nga variantet e tjera të përgjigjes së pyetjes, qofte edhe shakanë pa kripë. Nëse e ka sajuar vete, problemi i delirit të tij.  /syri.net/