·        Ndonëse të gjithë shqiptarët paguajnë taksë vjetore për këtë medie elektronike

·        Standardi “open mind” i Bashkim Hoxhës në medien e tij “Teuta TV”:gjithçka, rresht për rresht, nga faqet e para, deri dhe njoftimet për mitingje dhe demonstrata, të përditshme dhe periodike, kombëtare dhe gazeta shoqatash apo qytetesh, libra dhe faqe on-line

DURRËS, 12 nëntor 2014 –  Në pasqyrën e shtypit televizioni publik shqiptar lexon vetëm gazetën “Integrimi” të LSI-së nga gazetat partiake dhe ka përjashtuar të përditshmen e opozitës, “Rilindjen Demokratike”, dhe atë të partisë kryesore në pushtet, “Zërin [e popullit]”.

Absurdi vazhdon: nga 6 të përditshme sportive, lexon vetëm një.

Në pasqyrën e shtypit mungojnë “Ballkan”, “Tirana Observer”, “55”, “Sport Express”, “Sporti shqiptar”, “Panorama sport” etj.

Po kështu televizioni publik shqiptar bën përzgjedhje gazetash nga më idiotet në renditje dhe lexim titujsh. 

Të gjithë shqiptarët paguajnë taksë vjetore për këtë medie elektronike.

Prandaj në pasqyrën e shtypit paraja publike e çdo shqiptari detyron të lexohen të gjitha gazetat  dhe revistat: të përditshme dhe periodike; kombëtare, rajonale dhe vendore; informative, politike, kulturore sportive, mjekësore; buletine tekniko-shkencore, deri dhe kopertina librash; botime on-line etj.

Askush në një shoqëri të hapur, në një televizion shtetëror, nuk ka të drejtë të bëjë përzgjedhje nisur nga vija partiake, shija vetjake, tirazhi.

Nga ana tjetër, televizionet private mund të bëjnë si të duan.

Por më e drejtë është praktika që ka ndjekur gazetari dhe shkrimtari i njohur Bashkim Hoxha kur kishte në pronësi “TV Teuta”-n.

Ai lexonte gjithçka, rresht për rresht, nga faqet e para, deri dhe njoftimet për mitingje dhe demonstrata, të përditshme dhe periodike, kombëtare dhe gazeta shoqatash apo qytetesh, libra dhe faqe on-line.

Ky është një standard i qytetëruar që vendosi z. Hoxha.

Është e vërtetë që pas punësimit në dy televizione rajonale private, editorët i kanë diktuar Bashkimit të mos lexojë dy të përditshme, jo thjesht se janë të majta, por për faktin kanë njëfarë tirazhi dhe u rivalizojnë dy të përditshmet që ka i njëjti pronar.

Në këtë linjë ecën dhe një televizion kombëtar, në përbërje të një grupi multimedial afër së majtës. Ky grup boton edhe një gazetë të përditshme me tirazhin më të ulët në vend. Me sa duket, grupi nuk ka interes të paraqesë një të përditshme të majtë, që zë vendin e dytë në tirazh.

Por është punë e tyre si të përballojnë konkurrencën e egër.

Për këtë nuk ka pse qortohen.

/thanas mustaqi, agjencia e lajmeve “Dyrrah”/