Shumë njerëz përballen me vështirësi në përqendrim, sidomos në një kohë kur pajisjet elektronike dhe njoftimet e vazhdueshme e bëjnë më të lehtë shpërqendrimin. Përveç ngarkesës së përditshme me punën, familjen dhe jetën sociale, shpesh është e vështirë të mbahet vëmendja e fokusuar në një detyrë të vetme.
Ekspertët shpjegojnë se, në disa raste, këto vështirësi mund të shkojnë përtej shpërqendrimit të zakonshëm dhe të lidhen me ADHD tek të rriturit, një çrregullim i vëmendjes që nuk shfaqet gjithmonë me hiperaktivitet të dukshëm.
Shumë persona mbeten të padiagnostikuar, pasi simptomat mund të ngatërrohen me lodhje, stres apo tipare të personalitetit. Studime të ndryshme tregojnë se një pjesë e madhe e të rriturve që përmbushin kriteret për ADHD nuk marrin diagnozë apo trajtim.
Ndër shenjat që mund të lidhen me këtë gjendje përmenden vështirësitë e vazhdueshme me organizimin dhe përqendrimin, ndjesia e shpërqendrimit të shpeshtë në biseda apo detyra të përditshme, si dhe tendenca për të mos përfunduar projektet e nisura.
Gjithashtu, disa persona mund të kenë pasur këto vështirësi që në fëmijëri, por t’i kenë kompensuar me përpjekje të mëdha, si perfeksionizmi ose puna e tepërt.
Me kalimin e kohës, këto mekanizma nuk mjaftojnë më dhe problemet bëhen më të dukshme.
Një tjetër element është edhe shoqërimi i ADHD me ankthin ose depresionin, të cilat shpesh vijnë si pasojë e stresit të vazhdueshëm dhe vështirësive në menaxhimin e jetës së përditshme.
Ekspertët theksojnë se këto shenja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht diagnozë, por nëse janë të vazhdueshme dhe ndikojnë në jetën e përditshme, mund të jetë e nevojshme një vlerësim profesional.





