Kryemninistri Edi Rama ka kujtuar sot Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka ndarë një foto të shenjtores, përkrah së cilës shkruan:

“MIRËMËNGJES dhe me këtë foto të Shën Terezës, gruas së shenjtë me trup të vogël e me shpirtin sa vetë bota, ju uroj në këtë ditë të shenjtërimit të saj mbarësi e shëndet të mirë”.

Misionarja shqiptare Agnes Gonxhe Bojaxhiu, lindi në Shkup, në vitin 1910. Më 1928 shkoi në Indi, ku në vitin 1948 ajo u bë një qytetare indiane dhe themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta, në vitin 1950, duke marrë famë për punën midis të varfërve dhe atyre që po vdisnin në atë qytet.

Për më shumë se 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve, jetimëve dhe të vdekurve, ndërsa drejtoi zgjerimin e Misionarëve të Bamirësisë, fillimisht në Indi dhe më pas në vende të tjera, duke përfshirë bujtina dhe shtëpi për më të varfërit dhe të pastrehët.

Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.

Murgesha ‘u lumturua’ në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.