Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bën të ditur se në vendin tonë ka më shumë se 1700 persona të prekur me HIV AIDS. Në kuadër të ditës botërore kundër HIV AIDS, OBSH bën të ditur se 73% e të infektuarve janë meshkuj, por shqetësim mbetet diagnostikimi i vonë.

Raporti i OBSH për mbikqyrjen e HIV/AIDS në Europë thekson se nga viti në vit rastet në Shqipëri kanë ardhur në rritje. Vetëm vitin që shkoi në vendin tonë u zbuluan 123 persona të infektuar. Në total nga 1725 raste, 73 % janë meshkuj të infektuar. E thënë ndryshe, në Shqipëri me HIV janë 1257 meshkuj dhe 468 femra.

Ajo që bie në sy në të dhënat e OBSH për Shqipërinë, është fakti se 21% e të infektuarve meshkuj e kanë marrë virusin nga kontakti seksual me meshkuj të tjerë, si dhe në 9 raste nga injektimi i drogave me shiringë. Megjithatë në shumicën e rasteve infektimi ka ardhur nga marrëdhënit heteroseksuale. Në raport me Europën, Shqipëri ka një prevalencë të ulët të raportimeve me HIV. Kështu Shqipëria renditet në vendin e 44 nga 53 shtete në studim.

Vendi ynë lë pas Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si shtetet me numrin më të ulët të rasteve me HIV/AIDS. Ajo që është shqetësuese ne raport për vendin tonë, është diagnostikimi i vonë i sëmundjes duke u renditur në 9 vendet me përqindjen më të lartë për diagnozat e vona.