Reaksioni i fortë alergjik që zhvilloi një mjek në Boston, SHBA, pas injektimit të vaksinës së “Moderna”-s kundër Covid-19, ka shqetësuar jo pak kompaninë, por edhe CDC. Dr. Husein Sadrezadeh e zhvilloi reaksionin disa minuta pasi mori vaksinën, ndërsa fillimisht u mendua se ishte një efekt anësor i saj.
Më pas u zbulua që onkologu, i cili punonte në Qendrën Mjekësore të Bostonit, kishte një alergji të rëndë ndaj midhjeve dhe kjo mund të ketë shkaktuar reagimin e ashpër pas vaksinës. Mjeku tha se disa minuta pas vaksinimit, pulsi i tij shkoi në 150 rrahje në minutë, pothuajse sa dyfishi i normës, gjuha iu mpi dhe u mbulua nga djersë të ftohta, ndërkohë që presioni i gjakut ra. Sadrzadeh përdori injeksionin e epinefrinës që kishte me vete për shkak të alergjisë dhe më pas transportua me barelë në dhomën e urgjencës, ku iu dhanë mjekime të ndryshme, përfshirë edhe steroidet. Pas 4 orësh ai u lejua të shkonte në shtëpi.
Të nesërmen në mëngjes ai deklaroi se ndihej mirë, i shëruar dhe pa shqetësime. David Kibbe, një zëdhënës i spitalit, konfirmoi se mjeku ishte injektuar me vaksinën e “Moderna” të enjten.
Pas ngjarjes, dr.Husein informoi kompaninë dhe sistemin kombëtar të monitorimit të sigurisë së vaksinave. Zëdhënësi i “Moderna”-s, Ray Jordan. tha se ekipi i sigurimit mjekësor është duke e shqyrtuar çështjen. Ndërkohë Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka njoftuar se informacioni mbi reagimet ndaj vaksinave të reja do të publikohet javën e ardhshme, jo vetëm e këtij rasti, por e të gjithë atyre që kanë pasur reagime të forta.
Kujtojmë se në SHBA ka nisur vaksinimi masiv me vaksinat e “Pfizer / BioNTech” dhe “Moderna”, i personave që janë më të rrezikuar nga Covid-19 si punonjësit e shëndetësisë, mësuesit dhe të moshuarit. Agjencitë federale po hetojnë të paktën 6 raste të njerëzve që kanë zhvilluar anafilaksi (reagim si marrje mendsh, humbje ndjenjash, ulej të tensionit dhe takikardi) pasi janë vaksinuar.
Pas rasteve të para të raportuara, CDC ka këshilluar që si vaksina e “Pfizer”, ashtu edhe ajo e “Moderna” mund të mos jenë të përshtatshme për personat me alergji ndaj përbërësve të vaksinës, prandaj duhet parë me kujdes historia mjekësore e secilit pacient dhe të merret një vendim. Njerëzit me alergji të tjera, si në rastin e dr.Sadrzadeh, duhet të bëjnë vaksinën dhe të presin 15 minuta para se të largohen nga qendra e vaksinimit. Kushdo që ka një histori alergjike ndaj një substance, duke përfshirë një vaksinë tjetër ose një ilaç të injektuar, duhet të monitorohet për 15 minuta shtesë.