“E prisnim një start të tillë, e përgatitëm ndeshjen nga dita e parë e grumbullimit dhe po prisnim vetëm të zbrisnim në fushë”. Edhe Antonio Kandreva është shprehur entuziast për fitoren 4-0 në “San Siro” kundër Leçes.

“Çfarë ndryshoi nga Spaleti te Konte? Viti i kaluar duhet lënë pas krahëve, tani ka nisur një sezon i ri me një trajner të madh dhe kampionati është i gjatë. Kemi shumë ndeshje përpara, le të gëzohemi me paraqitjen, por nga nesër (sot) duhet të rikthehemi në punë. A ndiej një besim të shtuar në nivel personal? Po, vitin e kaluar thuajse e humba të gjithin, duke qëndruar në stol dhe këtë sezon dua të rikthehem mes protagonistëve”.

KONTE DHE IKARDI-

Mesfushori italian vendosi veten në vitrinë me një gol të shkëlqyer disa minuta përpara përfundimit: “Sa i rëndësishëm ishte rikthimi me gol në ‘San Siro’? Tifozët nuk e kanë humbur kurrë besimin, dua t’i falënderoj, goli më mungonte shumë dhe jam i lumtur që e rigjeta”.

Në fund, një koment për Konten dhe Ikardin: “Është një trajner i madh, shumë i fortë. Duam ta ndjekim, por jemi vetëm në javën e parë dhe rruga është ende e gjatë. Ikardi? Dimë aq sa ju, janë çështje që i përkasin klubit dhe Mauros. Skuadra duhet vetëm të mendojë të punojë, sepse të dielën na pret një sfidë e ndërlikuar”.