Besart Berisha dërgoi Melbourne Victory në finalen e titullit të A-League në Australi. Një gol me kokë i sulmuesit i dha 3 pikët Melburnit ndaj ish-skuadrës së tij Brisbane Roar në një ndeshje shumë të rëndësishme për vendasit, që i lejoi ata të zënë vendin e dytë në klasifikim pas kampionëve të sezonit të rregullt të Sydney, me të cilët do të luajnë në finalen e madhe.
Berisha ishte ndër më të mirët në fushë për të tijtë duke qenë gjithmonë një rrezik konstant përpara portës teksa që në minutën e 8-të ishte shumë pranë golit të epërsisë.Gjatë ndeshjes në tribuna ishte i pranishëm dhe trajneri i FC Sydney Graham Arnold, që po spiunonte kundërshtarët dhe madje në disa momente pati dhe vërshëllima ndaj tij. Gjithsesi sa i përket Berishës, Besarti në minutën e 70-të u gjet në vendin e duhur në momentin e duhur si zakonisht duke shënuar golin e fitores për të tijtë që ju gëzuan kalimit për në finalen e madhe të A-League, e cila do të luhet me datë 7 maj.