7 dhjetor 2014–  Fundjavë me gol për Edgar Canin në Serinë B italiane. Sulmuesi shqiptar rezultoi përcaktues për Catanian në sfidën ndaj Bolognas ku skuadra siciliane arriti të kthente një disavantazh prej dy golash duke e mbyllur takimin në barazim 2-2. Trajneri i Catanias Sanino besoi te Cani në këtë sfidë duke e aktivizuar titullar dhe shtatlarti shqiptar nuk e zhgënjeu 57-vjecarin duke shënuar një gol dhe duke zhvilluar një ndeshje shumë të mirë në tërësi. Në minutën e 58-të të ndeshjes kur rezultati ishte 2-0 në favor të Bolognas, Cani arriti të shfrytëzonte mësëmiri një krosim tokazi të polakut Chrapek duke zgjatur këmbën për ta dërguar topin pas shpatullave të portierit mik Coppola. Pikërisht ky i fundit nuk e lejoi 25-vjecarin të nxirrte topin nga rrjeta për ta dërguar atë me shpejtësi në mesin e fushës dhe mes dy lojtarëve nisi një zënkë të cilës i dha fund arbitri kryesor duke ndëshkuar si Canin ashtu edhe Coppolën me nga një karton të verdhë. Ky ishte finalizimi i dytë për ish lojtarin e Barit me fanellën e Catanias në këtë sezon të Serisë B, pas golit ndaj Vicenzës rreth 1 muaj e gjysëm më parë. Nëse vazhdon të shfaqë këtë formë Cani do të jetë një alternativë më shumë edhe për trajnerin  Gianni De Biasi në sulmin e kombëtares kuqezi.

Nuk di të ndalet më Hamdi Salihi në kampionatin izraelit. Sulmuesi shqiptar gjeti sërish rrugën e rrjetës vetëm pak ditë nga goli që shënoi në fitoren e Hapoel Acres ndaj Hapoelit të Tel Avivit. Salihi realizoi golin e vetëm të skuadrës së tij në humbjen shtëpiake ndaj Maccabi Netanyas me rezultatin 1-2. Ishte minuta 36 e takimit kur shkodrani la edhe njëherë tjetër shenjën e tij duke barazuar përkohësisht rezultatin në 1-1. Më pas sfida mes Hapoel Acres dhe Maccabi Netanyas u mbyll me fitoren 2-1 të skuadrës mike. Ky ishte finalizimi i 6-shtë për Salihin në këtë sezon të kampionatit izraelit.