Four Points by Sheraton dhe Courtyard by Marriot do të jenë hotelet me famë botërore me të cilat do të identifikohet Kosova. Ndërtimi i dy hoteleve do të jetë një investim  prej 16 milionë euro.

Marriott International, Inc, është një kompani udhëheqëse globale me më shumë se 6.500 prona në 127 shtete dhe territore, sipas të dhënave zyrtare të publikuara në ueb faqen e kësaj kompanie.

Marka Sheraton u largua nga Shqipëria vetëm pak ditë para mbylljes së vitit 2017. Në atë kohë, operatorët turistikë reaguan se kjo mund të ishte dhurata më e keqe që i bëhet turzimit për Vitin e Ri.

Largimi i markës prestigjioze ndodhi si për ironi në të njëjtën kohë kur qeveria sapo kishte kaluar paketën për nxitjen e investimeve në fushën e hotelerisë nga marka të njohura ndërkombëtare. Pas largimit të Sheraton, hoteli është shndërruar në MAKTIRANA Hotel and Tower. Në 2016-n, të ardhurat e Sheraton ishin 4 milionë euro, me një rënie me bazë vjetore prej 13.5%, si rrjedhojë e rritjes së konkurrencës së hoteleve në kryeqytet, pas hapjes së Plaza.

Humbjet e mëdha duket se kanë qenë arsyeja kryesore që e kanë detyruar grupin Mak Albania, që ka në pronësi Hotel Sheraton, të merrte vendimin për t’u larguar nga Shqipëria. /Monitor/