*900 të dënuar, nën mbikëqyrje nga shërbimi i provës, 300 të tjerë në proces përfitimi 

Ndryshe nga kryeministri i vendit Edi Rama, i cili për çdo masë apo reformë të ndërmarrë  gjatë dy viteve të fundit, përmend fjalën burg për qytetarët, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe ajo e Shërbimit të Provës, ndezin drita jeshile për të dënuarit e të burgosurit në Shqipëri. Këto dy institucione kanë nisur një fushatë sensibilizuese në të gjithë institucionet e vuajtjes së dënimit, duke iu kërkuar të dënuarve për vepra të vogla penale të dorëzojnë në gjykatë kërkesat për rivlerësimin e dënimit.

“Duam të heqim dënimin ekstrem për veprat e vogla penale, dhe të dënuarit të përfitojnë nga shërbimi i provës”, deklaroi Ilir Beshiri, drejtori i Shërbimit të Provës në Durrës, në takim me të dënuarit. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi midis 2 institucioneve, duke vendosur si piketa ligjore masat alternative. Këto masa alternative jo me burg, të gjejnë një shprehje më të qartë në vendimmarrjet e gjykatave. Parimi kryesor është të hedhim vështrimin drejt masave alternative jo me burg, për ata që kanë kryer vepra të vogla penale. Synimi është që të mos shihet dënimi me burg dhe IEVP-ja si masë ekstreme, por të shihen masat e tjera, dhe integrimi i këtyre personave në shoqëri”.  

“900 ish-të dënuar po ndiqen nga shërbimi i provës në Durrës, duke mos shkuar në burg, por duke qenë në mbikëqyrje të specialistëve të këtij shërbimi. 300 të tjerë pritet të përfitojnë nga ky shërbim” deklaroi drejtori i Shërbimit të provës në Durrës Ilir Beshiri.

K.H.