Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Urgjenca e Tiranës ofron shërbim më të shpejtë për qytetarët. Ilir Beqja ka thënë disa herë publikisht se disa autoambulanca qëndrojnë në pika të ndryshme në Tiranë, gjatë 24 orëve, dhe jo vetëm në parkingun e urgjencës, për të qenë më afër atyre që kanë nevojë.
Ai doli disa herë në publik për këtë arsye, pasi shërbimi i urgjencës u vu nën akuzë 1 vit më parë në rastin e vdekjes së këngëtarit Florian Kondi, të njohur me emrin Dr. Flori. Të afërmit e tij thanë se autoambulanca vonoi edhe pse shtëpia e tij ishte vetëm pak metra larg.
Por po të kesh nevojë për urgjencën, me shumë gjasë askush nuk do të përgjigjet. Denoncimi kësaj here vjen nga një tjetër qyetar. Ai ka dashur ta ndajë atë me publikun, duke e postuar në faqen e njohur me emrin “Jeta osht qejf”. Qytetari telefonon në orët e vona në numrin 127. Nga ana tjetër nuk përgjigjet askush. Thirrja zgjat, por në numrin 127 nuk përgjigjet asnjë nga mjekët apo infermierët që paguhen vetëm për këtë shërbim.
Një vit më parë disa shoqata i kërkuan personalisht Ministrit Beqja të ndërhynte për të përmirësuar shërbimin e urgjencës, duke i argumentuar se janë të shumta rastet kur njerëzit nuk arrijnë të marrin në kohë ndihmën e duhur.
Videoja e mëposhtme tregon se situata nuk ka ndryshuar. Megjithatë ka pak gjasë që ky realitet ta pengojë Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja që të premtojë edhe këtë fundviti se shërbimet e urgjencës do të jenë në gatishmëri të plotë për festa.
Ky është një ndër shërbimet mjekësore për të cilin është folur jo pak. Denoncimi se ai nuk funksionon vjen në një kohë kur Ministri i Shëndetësisë është vënë në shenjestër të akuzave për afera korruptive. Të paktën tre koncesione të Ministrisë së Shëndetësisë janë nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ministri është akuzuar gjithashtu se nuk ka përmbushur premtimin për furnizimin e spitaleve me medikamente. Një tjetër akuzë është ajo e përfitimit të kompanisë që ai ka drejtuar deri në vitin 2013, të 28 tenderave publikë, me vlerë afro 10 milionë euro.