Mbyllja e procesit të amnistisë fiskale vetëm pas dy javësh, dhe në krahun tjetër ndryshimi i ligjit për taksën e qarkullimit rrugor kanë sjellë dyndje të madhe qytetarësh në Drejtorinë e Shërbimit të transportit rrugor në Durrës. Sportelet në çdo orë të ditës janë të mbushur me qytetarë të cilët aplikojnë për regjistrim apo çregjistrim mjeti, targa të reja, patenta ndërkombëtare, pajisje me leje drejtimi,etj. Por një numër shumë i madh qytetarësh janë dyndur për të çregjistruar mjetet e tyre dhe për të përfituar nga afati që është drejt mbylljes. Qytetarët që aplikojnë janë prej qytetit të Kavajës dhe i gjithë qarku i Durrësit, ndërsa në shërbim të pranimit të dokumenteve janë katër specialistë, çka sjell edhe radhë dhe dyndje në këto sportele.
Qytetarët jo pak herë pasi dorëzojnë dokumentet kthehen të nesërmen, për t’i marrë. Problemi qëndron në faktin se qytetarët për shërbime të ndryshme që kërkojnë, paraqiten në tre sportele të vëna në dispozicion të tyre. Ndërsa numri i sporteleve të vënë në dispozicion është më i ulët, kërkesa për shërbime në këtë periudhë të vitit është shumë e lartë nga ana e qytetarëve.
23 mijë automjete, ku përfshihen vetura, dhe makina të tonazheve të ndryshme përfitojnë nga ligji i amnistisë fiskale në Durrës, i cili mbyllet në 31 mars të këtij viti, vetëm dy javë më pas. Këto janë automjete të cilat konsiderohen pasive, prej vitesh nuk kanë paguar asnjë detyrim ndaj shtetit, një pjesë kanë përfunduar për skrap, ndërsa 70 % e tyre i përkasin qytetarëve dhe biznesve. 30% e këtij numri i përkasin institucioneve publike, të cilat qarkullonin pa paguar detyrimet në shtet. Ligji për amnistinë fiskale nisi të zbatohej në korrik të vitit 2011, dhe prej asaj kohe 14 mijë 600 qytetarë kanë çregjistruar automjetet e tyre të cilat kishin dalë jashtë qarkullimi ose kanë paguar taksat, duke përfituar nga amnistia fiskale.
DOKUMENTET
Çfarë duhet për për regjistrimin apo çregjistrimin e mjeteve
Kur kërkoni riregjistrimin e mjetit, duhet të dorëzoni këto dokumente:
Kërkesën, e cila gjendet pranë sporteleve të shërbimit.
Kartën e identitetit. Dokumentin e çregjistrimit të përkohshëm.
Çregjistrim i përhershëm
Këtë ç’regjistrim duhet ta bëni, nëse mjeti juaj ka dalë jashtë përdorimit, është shkatërruar ose do ta eksportoni përfundimisht jashtë shtetit.
Për çregjistrimin e mjetit duhet të dorëzoni:
a)Kërkesën, e cila plotësohet pranë sporteleve të shërbimit.
b) Kartën e identitetit e cila pasi fotokopjohet nga punonjësi i shërbimit, ju kthehet përsëri.
c) Lejen e qarkullimit të mjetit.
d) Certifikatën e pronësisë së mjetit.
e) Targat e mjetit.
f) Pagesën e taksave deri në momentin e kërkesës.
Për çregjistrimin përfundimtar të mjetit tuaj, duhet të dorëzoni:
– Lejen e qarkullimit të mjetit
– Targat e mjetit
– Certifikatën e pronësisë