7dhjetor 2015 – Një dokument i shërbimit sekret italian dhe tejet i rezervuar, ka vënë pak ditë më parë alarmin për rikthimin e mundshëm të mafias së trafikut të klandestinëve. Dokumenti që iu është shpërndarë edhe shërbimeve të tjera dhe që mban siglën “Tepër sekret” shprehet:

“Disa grupe kriminale shqiptare, të njëjta si në periudhën 1997-2000 dhe të njohura shumë mire nga ne në Shqipëri, kanë pyetur për çmimin dhe kohën e ndërtimit të 40 (20 në fillim dhe 20 më pas) anijeve me motorë shumë të fuqishëm për një aktivitet të tyrin të papërcaktuar në të ardhmen.”

Me pas dokumenti sqaron se një grup i këtyre që ai i quan “Biznesmenë”, sipas të dhënave të shërbimeve sekrete, ka vizituar disa kantiere në Itali e më herët dhe në Greqi, për të parë tipin e anijeve, koston dhe kohën e ndërtimit të tyre. Ky grup sipas dokumentit nuk ka dhënë asnjë shpjegim dhe ka sqaruar se këto anije duhen për qëllime biznesi e mbase edhe turizmi. Me tej sqarohet se një pjesë e këtyre “Biznesmenëve” kanë edhe lidhje të forta politike, shkruan syri.net.

Një tjetër dokument sqaron se kostoja e një anijeje të tillë mund të shkojë minimalisht në 1 milion euro, dhe ngre pikëpyetjen se kush do të investojë 40 milionë euro dhe me çfarë përfitimesh?

Ne dokumentin e dytë, thuhet se mundësia më e madhe është që mafia shqiptare po përgatitet për një valë refugjatësh që do të pushtojnë Shqipërinë dhe për këtë do të blihen anije dhe skafe të fuqishme dhe të shpejta për t’i dërguar refugjatë në brigjet italiane, njësoj si në vitet 1997-2005.

/portali DurrësLajm/