Shërohet pacientja zero në Maqedoninë e Veriut, të gjithë të tjerët në gjendje të stabilizuar!
Ministria e Shëndetësisë informoi se pacientja e parë në Maqedoninë e Veriut, e cila rezultoi e prekur nga Covid 19, sot del nga spitali dhe do të mbetet edhe për disa kohë në në trajtim shtëpiak. Ajo tashmë është testuar për herë të dytë, në përputhje me rekomandimet e OBSH-së dhe ka rezultuar negativ.
Gjendja e pacientëve të tjerë është e stabilizuar, përfshirë këtu dhe njërën prej tyre që kishte nevojë për aparate të frymëmarrjes. Në Maqedoninë e Veriut janë gjithsej 18 raste të konfirmuara, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë 24.
Përveç Kosovës që deri më tani ka regjistruar 13 raste të njerëzve të infektuar me koronavirus, edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor po përballen me rritje të përditshme të numrit të të infektuarve. Aktualisht, vetëm Mali i Zi nuk ka asnjë rast të regjistruar. Në Serbi, ndërkaq, 55 pacientë janë duke luftuar me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç vendosi të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme.





