DURRËS, 4 qershor 2014 – Mungesa e një ministri fut në sherr dy deputete durrsake, zonjat Albanë Vokshi (PD) dhe Klodianë Spahiu (PS), ndërkohë inxhinierja Vokshi, jo vetëm i jep mend për barnat mjekes Spahiu, por e ndërpret, e ironizon, i tregon forcë, kjo thjesht për shkak të eksitimit nga prania e medieve.
Sa herë ka media të pranishme, kryetarja e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvendin e Shqipërisë, deputetja e Durrësit Albanë Vokshi merr “superxhiro” për të treguar forcë “matriarkale”, para një ministri dhe koleges deputete, sikurse ka ndodhur para pak kohësh në një seancë dëgjimore, të kërkuar nga opozita me Ministrin e Shëndetësisë, ish-deputet i Durrësit, Ilir Beqaj lidhur me procedurat e prokurimit për blerjen e barnave dhe për arsyet e ndërhyrjes së ministrit në ndryshimin e kritereve të përcaktuara më parë.
Ministri nuk ishte i pranishëm, por “shkëlqeu në mungesë” për shkak të debatit Albanë Vokshi dhe Klodianë Spahiu.
Mjekja Spahiu i ka thënë Vokshit se mendonte që ministri mund të realizonte seancë dëgjimore me grupin parlamentar, “por, për shkak të agjendës, mund të ketë arsyet e veta që nuk është prezent sot në këtë seancë dëgjimore. Megjithatë, mendoj se është mirë që ne të informohemi nga grupet e interesit lidhur me këtë problem që ka ndodhur. Ne si anëtarë të komisionit mund të zhvillojmë një seancë të dytë dëgjimore me ministrin për të marrë edhe opinionin e tij pse ka ndodhur kjo. Kështu që nuk më duket e arsyeshme që të…”
Por inxhinierja Vokshi, ish-këshilltare e z. Berisha kur ishte Kryeministër, e ndërpret znj. Spahiu, duke deklaruar se z. Beqaj “e ka detyrim kushtetues të paraqitet dhe të raportojë!”
Madje inxhiniere Vokshi u është drejtuar anëtarëve të komisionit: “Duke pasur si shqetësim shumë të madh që po preket siguria e shëndetit të qytetarëve shqiptarë, ju jeni mjekë dhe mendoj se ju jeni ata që duhet ta kishit ngritur këtë shqetësim”, kështu Beqaj, sipas deputetes po e rëndonte më shumë veten.
Znj. Spahiu i thotë sërish znj. Vokshi se “sot mund ta realizojmë këtë seancë dëgjimore me grupet e interesit dhe në një seancë tjetër dëgjimore mund të vijë ministri dhe të diskutojmë rreth këtyre shkeljeve që ju pretendoni se janë bërë”.
Por me tangarllëk dhe tejet e eksituar, znj. Vokshi e ndërpret: “Jo, Klodiana, unë kam ftuar ministrin, grupet e interesit. Ministri është i detyruar të jetë këtu. Ju lutem, sekretare, pyesni për arsyet pse ministri ka refuzuar të vijë këtu”.
DHE SEANCA KA VAZHDUAR ME HIDH E PRIT:
Klodianë Spahiu– Zonja kryetare, e mira është të mos e politizojmë çështjen, meqë është një çështje në interes të të gjithë qytetarëve.
Albanë Vokshi– Më fal, por shëndeti i shqiptarëve është përtej politikës.
Klodianë Spahiu– Nëse të intereson shëndeti i qytetarëve shqiptarë, të lutem procedojmë me dëgjimin e grupeve të interesit. Të lutem, jepi fund mënyrës së drejtimit të mbledhjes në mënyrën si e organizon ti. Je arbitër në këtë sallë. Nëse je arbitër dhe je kryetare për të drejtuar maxhorancën dhe opozitën, vazhdo me detyrën që ke. Nuk mund të ngresh zërin ti, në një kohë që ke këtu maxhorancën të interesuar për këtë problem. Kjo që bëni ju është shkelje e Rregullores. Ju nuk na kërkoni dot llogari neve nëse vjen apo nuk vjen ministri. Po ju themi se jemi të predispozuar për të dëgjuar grupet e interesit. I kemi dëgjuar vite më radhë. Janë të gjithë dëshmitarë që të gjithë, i kemi takuar për problemet që kanë pasur edhe kur keni qenë ju në maxhorancë dhe nuk kanë pasur pak probleme edhe me ju. Ndaj, ju lutem shumë, procedojmë me seancën, nëse doni që të vazhdojë mbledhja. Ndryshe, po e lëmë mbledhjen, nëse doni.
Albanë Vokshi– Nuk është në dorën tënde.
Klodianë Spahiu– Nuk është në dorën tënde vjen apo nuk vjen ministri. Ministri do të vijë kur të ketë kohë. Kushtetuta e ka kur të ketë kohë ministri dhe kur të mos ketë obligime të rëndësishme, atëherë do të vijë.
Albanë Vokshi– Më vjen keq, në qoftë se ju po e interpretoni Kushtetutën sipas dëshirave tuaja, i kërkoj…
Klodianë Spahiu– Ju doni ta shfrytëzoni politikisht. Procedoni me seancën, nëse doni bashkëpunim, nëse doni dhe jeni të interesuar për shëndetin e qytetarëve. Juve ju intereson vetëm politika në këtë rast, nuk ju intereson fare shëndeti i qytetarëve. Një njeri që është i interesuar për shëndetin e qytetarëve, vazhdon seancën.
Albanë Vokshi– Klodiana, qetësohu!
Klodianë Spahiu– Ti ke 20 minuta që nuk je qetësuar. Të lutem shumë, a procedojmë me këta njerëz të nderuar që kanë ardhur dhe që kanë probleme?
Albanë Vokshi– Po ju them se mungesa e ministrit të Shëndetësisë pa asnjë arsyetim e rëndon çështjen.
Klodianë Spahiu– Nëse i ke ftuar këta njerëz të nderuar, a do t’i dëgjosh, apo jo? Në qoftë se nuk do t’i dëgjosh, na thuaj, e dashur, që të vazhdojmë edhe ne.
Albanë Vokshi– Qetësohu!
Klodianë Spahiu– Si të qetësohem? A do ta vazhdojmë mbledhjen?
Albanë Vokshi– Unë do ta vazhdoja, ai foli për procedurë. Qetësohu!
Klodianë Spahiu– Vazhdo mbledhjen me prezantimin e njerëzve të nderuar, sepse ju thashë që në këtë karrige jeni arbitër. Jeni për të gjykuar të dyja krahët në mënyrë të barabartë. Nuk je për të gjykuar vetëm ministrin e Shëndetësisë. Ndaj, të lutem shumë, merr në vlerësim…
Albanë Vokshi– Pse u prekët kaq shumë? Mos u prekni kaq shumë!
Klodianë Spahiu– Ju po e përdorni politikisht.
Albanë Vokshi– Mos më ndërhyj, kur nuk është nevoja.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





