Një sherr i rëndë është shënuar në familjet e dy vëllezërve nga Durrësi, në të cilin janë përshirë edhe djemtë e njërit prej tyre.

Pas konfliktit për motive të dobëta, që degjeneroi dhe me dhunimin e njërit prej vëllezërve, policia shkoi në shtëpitë e të dyve, ku zbuloi një arsenal armësh dhe fishekësh në banesën 56-vjeçarit të dhunuar.

Specialistët për Krimet ne Komisariatin e Policisë Durrës, pas një pune hetimore intensive dhe të pandërprerë kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të një konflikti familjar, pa kaluar 24 orë, ku u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Vangjel Parangoni 56 vjeç, banues në Durrës;

Edmond Parangoni 33 vjeç, banues në Durrës, djali i J.Parangoni.

Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve:

J. Parangoni 60 vjeç, banues në Durrës, vëllai i Vangjelit

K. Parangoni 27 vjeç, banues në Durrës, djali i J.Parangonit

Më datë 07.08.2016, në orët e mbrëmjes, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi J. Parangoni së bashku me dy djemtë e tij, Edmond dhe K. Parangonin kanë goditur me grushte në kokë Vangjelin.

Policia e Durrësit sqaron se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Vangjel Parangonit u gjetën dhe u sekuestruan:

-një automatik model 56 i kalibrit 7.62 mm

-një armë zjarri tip pistoletë;

-107 fishekë të ndryshëm.

Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e J.Parangonit u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu me leje.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Dhunë në familje”.