Deputeti socialist, Taulant Balla, denoncon se është dhunuar nga Jamarbër Malltezi, drejtor i Departamentit të Mjedisit në PD dhe njëherësh dhëndri i ish-Kryeministrit Sali Berisha.
Mësohet se incidenti ka ndodhur në aeroportin “Leonardo da Vinçi” të Romës mbrëmjen e së premtes, teksa Jamarbër Malltezi ishte i shoqëruar me bashkëshorten, Argita Berisha dhe vajzën e tyre, ndërsa Taulant Balla ka qenë i vetëm.
Pas një debati midis tyre, mësohet se Jamarbër Malltezi ka goditur në fytyrë dhe ka fyer Ballën, duke i shkaktuar atij edhe shenja në fytyrë.
Menjëherë sapo deputeti Balla ka zbritur në aeroportin e Rinasit, ka bërë denoncimin në polici dhe kjo e fundit i ka shoqëruar të gjithë personat e përfshirë në këtë incident.
Çështja tashmë i ka kaluar prokurorisë me akuzën “Goditje për shkak të detyrës”.





