Një i ri është plagosur me thikë nga kontrollori dhe fatorinoja i linjës së autobusëve Tiranë – Vorë. Sipas njoftimit të policisë, është arrestuar në flagrancë shtetasi Hazbi Begu, 23 vjeç, banues në Fushë-Prezë si dhe është shpallur në kërkim shtetasi C.K., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Policia bën me dije se më datë 02.04.2018, në rrugën dytësore Tiranë – Vorë në autobusin e linjës Tiranë-Vorë, shtetasi R.M., 23 vjeç, banues në Kodër-Kamëz, pasagjer, është konfliktuar për motive të dobëta me fatorinon e autobusit shtetasin H. Begu, 23 vjeç, banues në Fushë-Prezë dhe me kontrollorin e linjës për autobusët shtetasin C.K., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Më pas shtetasi C. K., në bashkëpunim me shtetasin Hazbi Begu e kanë goditur me mjet prerës thikë shtetasin R. M., i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga nenet 76-22, 25 dhe 279 të Kodit Penal, në ngarkim të dyshuarve H. Begu dhe C. K.





