Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Durrës, ku një person është vrarë pas një sherri me thika me dy të tjerë.

Sipas informacioneve paraprake të policisë, mësohet se viktima është shtetasi L.Qamo, i moshës rreth 40 vjeç.

Ai është përleshur me thikë me dy shtetasit Yzedin Shallari rreth 60 vjeç dhe  E. Xh., rreth 50 vjeç, e si pasojë ka mbetur i plagosur rëndë. Pasi është transportuar në urgjencë për të marrë ndihmën mjekësore, fatkeqësisht ka ndërruar jetë aty.

Edhe për dy protagonistët e tjerë të ngjarjes raportohet se kanë marrë plagë nga të goditurat me thikë dhe aktualisht ndodhen në spitalin e Durrësit.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:20 në Rrushkull, pas një sherri për motive të dobëta.

Njoftimi paraprak i policisë:

Më datë 23.05.2017, rreth orës 13:20, jemi njoftuar nga urgjenca e Spitalit  Rajonal Durrës se kanë shkuar të plagosur dy shtetas.

Menjëherë shkuan në Spital Efektivet e Policisë, të cilët konstatuan se ishin plagosur me mjet prerës thikë, shtetasit Y. Sh., rreth 60 vjeç dhe  E. Xh. ,rreth 50 vjeç.

Nga veprimet hetimore paraprake dyshohet se në fshatin Rrushkull, shtetasit e mësipërm janë konfliktuar me shtetasin L.Q.

Konflikti ka qenë i çastit dhe ka ndodhur për motive të dobëta, ku shtetasit e mësipërm janë goditur me mjet prerës (thikë) me njëri-tjetrin.

Për pasojë shtetasi L.Q. ka ndërruar jetë, ndërsa dy shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë mësohet se pak minuta më parë ka ndërruar jetë në spital edhe shtetasi Yzedin Shallari.