Një sherr i rëndë ka shpërthyer në tragetin e linjës Ankona – Durrës, ku një kosovar ka plagosur me thikë disa të rinj nga Maqedonia e Mali i Zi, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë.

Policia njofton se ka vënë në pranga autorin e kësaj ngjarjeje, shtetasin Altin Hakami 36 vjeç, lindur në Mitrovicë të Kosovës dhe banues në Londër, i cili ka mbetur dhe vetë i plagosur së bashku me gruan e tij, por me plagë të lehta.

Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve:

• Dalibor Jovanoviç 36 vjeç, banues në Maqedoni;

•Viktor Krstevski 34 vjeç, banues në Maqedoni;

•Dragan Kovaçeviç 29 vjeç, banues në Malin e  Zi;

•Dragis Gogiç 25 vjeç, banuese në Malin e Zi.

Ngjarja

“Më datë 03.08.2016, rreth orës 03:30, në tragetin e udhëtarëve të linjës Ankona – Durrës, duke qenë në lundrim, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Altin Hakami ka plagosur me thikë shtetasin V.M. 28 vjeç, banues në Malin e Zi.

Për pasojë, 28-vjeçari ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gjithashtu janë plagosur lehtë shtetasit Dragan Kovaçeviç, Dragis Gogiç dhe Viktor Krstevski.

Gjatë konfliktit kanë marrë dëmtime edhe vetë autori Altin Hakami dhe bashkëshortja e tij shtetësja L. Hakami 35 vjeçe, banuese në Londër, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal  Durrës jashtë rrezikut për jetën”, bën të ditur policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale:

“Plagosja e rëndë me dashje” në ngarkim të shtetasit Altin Hakami;

“Plagosja e lehtë me dashje” në ngarkim të shtetasve Dalibor Jovanoviç, Viktor Krstevski, Dragan Kovaçeviç dhe Dragisa Gogiç.