Gjykata italiane e Shkallës së Parë ka dënuar me 11 vite burg shqiptarin Gazmir Pepmarku, 40 vjeç. Ky vendim vjen pasi mbrëmjen e 3 nëntorit 2017, shqiptari u përfshi në sherr me dy marokenë, brenda ambienteve të një lokali në San Giuliano Milanese.

Edhe pse gjykata e dënoi ashpër atë, Pepmarku ka argumentuar se nuk ka kryer krim, pasi “vetëm ka mbrojtur veten nga më e keqja”. “Unë u sulmova me shishe nga një grup marokenësh dhe si vetëmbrojtje përdora thikën”, ka thënë ai përpara grupit të oficerëve.

Mbrëmjen e 3 nëntorit, Pepmarku ishte në shoqërinë e shqiptari tjetër, i cili u dënua me 9 vjet e 9 muaj heqje lirie. Gjykata dënoi me nga dy vjet secilin edhe dy marokenët, të moshave 38 dhe 35 vjeç.

Ndërsa për më të riun, me shtetësi marokene u dha një dënim për kompensim me 50 mijë euro. Kjo për shkak të lëndimeve të shumta me thikë që ai kishte pësuar.