Shqiptari Gazmir Pepmarku, 40 vjeç është dënuar në Itali me 11 vjet heqje lirie për vrasje të mbetur në tentativë. Pavarësisht dënimit maksimal, ai ka thënë se plagosjen me thikë e bëri për vetëmbrojtje.
“Unë u sulmova me shishe nga një grup marokenësh dhe si vetëmbrojtje përdora thikën”, ka thënë ai përpara organeve të drejtësisë.
Mbrëmjen e 3 nëntorit 2017, shqiptari u përfshi në sherr me dy marokenë, brenda ambienteve të një lokali në San Giuliano Milanese. Atë mbrëmje ai ka qenë i shoqëruar edhe nga një tjetër shqiptar, ku edhe ky i fundit është dënuar me 9 vjet e 9 muaj burg. Gjykata ka dënuar me dy vjet burg dy marokenët e moshës 38 dhe 35 vjeç, të përfshirë në rrahje. Më i riu, i cili kishte pësuar lëndime serioze në trup nga goditjet e thikës, iu dha një kompensim prej 50,000 eurosh.
Pepmarku u kap nga Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në D.V.P. Lezhë, më 21 mars 2018. Kapja e tij u bë në bashkëpunim me Interpol Tirana me qëllim esktradimi në shtetin italian, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.





