Një 16-vjeçar në Shkodër ka përfunduar në spital pasi u plagos me thikë. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate.
Dyshohet se mes tij dhe dy adoleshentëve të tjerë ka pasur një konflikt çasti që ka degjeneruar në përdorimin e thikës dhe plagosjen e të miturit.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për plagosjen me mjet prerës (thikë) të shtetasit R. S., 16 vjeç, të kryer rreth orës 00:05, të datës 05.11.2023, pas një konflikti të çastit, në lagjen “Vasil Shanto”, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë vijuar hetimet e thelluara për të përcaktuar plotësisht autorësinë e këtij rasti dhe për të zbardhur rrethanat e tij”, njoftoi policia.
Uniformat blu njoftuan se autorët të dyshuar të kësaj ngjarje janë një 16-vjeçar tjetër dhe një 15-vjeçar. Ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda.
“Në përfundim të veprimeve hetimore, si autorë të dyshuar të rastit, u arrestuan shtetasit A. N., 15 vjeç dhe M. M., 16 vjeç, të dy banues në Shkodër, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta””, njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.





