Kosovë, 29 qershor 2014 – Një përleshje e dhunshme për shkaqe pronësie mes dy familjeve në Prizren, ka sjellë vdekjen e 1 personi si dhe plagosjen e 7 të tjerëve, mes të cilëve edhe një polic. Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare sipas të cilave ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites sot në qytetin e Prizrenit, ku nga shkëmbimi i zjarrit mes dy familjeve, ka humbur jetën një person, ndërsa janë plagosur 7 persona të tjerë.
Sipas drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nexhmi Krasniqi, ngjarja ka ndodhur për çështje pronësore, ndërsa janë të përfshira familjet Abdylaga, nga komuna e Suharekës, që jetojnë në Prizren dhe familja Berisha po nga Prizreni.
Mësohet se nga familja Abdylaga janë katër të plagosur, ndërsa një ka vdekur po nga kjo familje, ndërsa nga familja Berisha 2 persona, babë e bir. Gjashtë të plagosurit po trajtohen në spitalin rajonal të Prizrenit.
Sipas Krasniqit, oficeri i policisë ka marrë plagë në këmbë, por mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Siç theksojnë mediat kosovare, personat e përfshirë në konflikt kanë përdorur kallashnikov, pistoleta dhe mjete të tjera të forta.
Ndërkaq policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





