Tiranë, 3 gusht 2014 – Sherr në një dasmë në Paskuqan. Mes dy krushqive nuk ka munguar përdorimi i grushtave, karrigeve dhe armëve të zjarrit.

Për pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona.

Krushqit janë konfliktuar me njëri-tjetrin pas një komplimenti që i është bërë shoqërueses së nuses, duke sjellë edhe konfrontimin fizik mes tyre, dhe në fund edhe përdorimin e armëve.

Nga ngjarja ka mbetur e plagosur rëndë me dy plumba 22 vjeçarja Blerina Nela, e cila është dërguar në spitalin e Traumës, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet paraprake bëjnë me dije se autori i plagosjes është Uran Meta 32 vjeç, i cili pasi qëlloi me armë, është goditur me sende të forta nga dasmorët e tjerë, duke sjellë edhe plagosjen e tij.

Policia ka shoqëruar në komisariat 5 dasmorë të përfshirë në konflikt dhe ka sekuestruar armën e zjarrit, pistoletë tip “Zastava”.

 /agjencia e lajmeve “Dyrrah”/