TIRANË, 6 prill 2013- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes në një lokal nate në zonën e Kasharit në kryeqytet. 

Një vajzë 26-vjecare është qëlluar me armë pas një sherri në lokalin e natës.

Edhe pse është transportuar menjëherë në spital, vajza kishte marrë plagë të rënda në kokë, duke ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm në spital.

Nga burimet paraprake, dyshohet se ajo është qëlluar nga dy të rinjtë me të cilët u konfrontua.

Pak orë pas ngjarjes, zbardhen detaje të reja për vrasjen.

I ndodhur në banesën e kësaj të fundit, ku familja ka hapur tashmë dyert e mortit, ai ka të dhëna se vajza mund të jetë vrarë nga një plumb rikoshet.

Sipas të afërmve, Sonila është qëlluar nga një plumb qorr brenda në lokal. Ata shprehen se një person ka qëlluar me armë në ajer, plumbi ka bërë rikoshet dhe ka qëlluar vajzën në kokë.

Madje sipas tyre, është plagosur edhe një vajzë tjetër. 

Sipas të njëjtave burime, vajza punonte si balerinë në pub-in "Dream City" i cili për një javë ka pezulluar punën, për të lënë hetuesit të bëjnë punën e tyre, por edhe në shenjë respekti ndaj punonjëses që ka humbur jetën.

26-vjecarja kishte mbaruar studimet e larta për Koreografi dhe prej disa kohësh punonte në këtë lokal.

Nuk dihen ende shkaqet e sherrit mes të rinjve. Policia e kryeqytetit ka nisur ndërkohë hetimet për këtë ngjarje të rëndë.

Mësohet se policia ka shoqeruar edhe disa dëshmitarë dhe po i merr në pyetje.