9 maj 2015 – Jemi mësuar të bëhemi dëshmitarë të skenave të dhunës në sport te meshkujt, por në Kosovë protagoniste janë bërë femrat. Gjithçka ka ndodhur në ndeshjen e basketbollit, e vlefshme për gjysmëfinalet e “play off”-it mes skuadrave të Bashkimit dhe Prishtinës. Takimi ka degjeneruar në sherr mes basketbollisteve dhe gjyqtarët vendosën ta ndërprisnin. Basketbollistja e Bashkimit, Dea Çejku, ka deklaruar se është sulmuar fizikisht dhe është detyruar të vetëmbrohet. Sipas saj, dy sekonda pa përfunduar perioda e tretë nisi incidenti dhe u ndërpre ndeshja. Në foton e bërë publike nga gazeta vendase “Bota sot”, duken qartë shenjat që ka marrë në qafë pas sulmit nga një lojtare prishtinase.
“Ishte një duel për top mes meje dhe lojtares numër 13. U rrëzuam në tokë dhe një shkelm më erdhi nga pas nga një lojtare tjetër e Prishtinës. Aty filloi gjithçka, ku edhe lojtaret nga dy pankinat u futën në fushë. Ndërkohë katër lojtare prishtinase i kisha në kokë, të cilat më sulmonin pa u ndalur derisa erdhën lojtaret e ekipit tim për të më ndihmuar”, rrëfeu për gazetën basketbollistja Çejku.
E pyetur se cila nga basketbollistet e Prishtinës e kishte sulmuar, Çejku sqaroi: “Ajo që më shkelmoi, ishte lojtarja me numër 5, Artina Hasani. Agresivitet dhe provokime kishte nga të dyja anët gjatë gjithë lojës. Mbrëmë ishim në spital, pasi kisha dhimbje të shumta, sidomos në kokë dhe sot të gjitha lojtaret kanë nxirje në trup”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/