Dy persona kanë rënë në prangat e policisë për shkak të një konflikti për motive të dobëta. Ndërkohë nga Policia e Matit është kapur dhe ndaluar një shtetas i shpallur në kërkim për “Dhunë në familje”.

Rreth orës 14:00, ditën e djeshme shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë marrë informacion se në vendin e quajtur “Pishat”, Bulqizë, po ndodhte një konflikt mes disa personave.

Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se pas një debati për motive të dobëta,  A. M. ka goditur me mjet prerës (thikë),  F. Xh., ndërsa ky i fundit e ka goditur shtetasin A. M., me një dërrasë, duke  shkaktuar dëmtime të lehta. 

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. XH., 25 vjeç dhe A. M., 28 vjeç, të dy banues në Bulqizë.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me  Komisariatin nr. 4 Tiranë,  u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim  R. L., 62 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Mat, pasi në njësinë Administrative Lis, Bashkia Mat, për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj  bashkëjetueses së tij.