Policia ka arritur të parandalojë një ngjarje të rëndë kriminale dhe arrestuar në kohë rekord autorin e ngjarjes.
Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi, Luigj Preçi, 60 vjeç, banues në fshatin Nënshat, Vau i Dejës.
Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas ishte duke u konfliktuar për motive pronësie me vëllain e tij, shtetasin H. P., konflikt i cili rrezikonte përshkallëzimin, deri në përdorim të armës së zjarrit.
Marrja në kohë e informacionit nga ana e policisë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, duke shoqëruar shtetasit në konflikt dhe sekuestruar një armë zjarri automatike model 56.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e “Kanosja”, parashikuar nga nenet 278 e 84 e Kodit Penal.





