Udhëtimi me furgon dhe autobusët e rastit nga një qytet i Shqipërisë në një tjetër shpesh herë nuk është dhe aq komod, për të mos përmendur pastaj lodhjen nga rruga e gjatë dhe kilometrat e tepërt. Mirëpo, ka edhe raste ku shoferi konfliktohet me pasagjerët dhe i revolton ata, për shkak të veprimeve të pamatura, gjithmonë duke u nisur nga përfitimi personal.
Kjo gjë ka ndodhur edhe mëngjesin e djeshëm në një furgon të linjës Tiranë-Vlorë. Siç tregon njëri nga pasagjerët, shoferi ka qenë duke udhëtuar në autostradën Tiranë-Durrës në momentin që ka ndaluar për të marrë të tjerë pasagjerë, edhe pse automjeti ka qenë i mbushur.
Udhëtarët janë revoltuar ndërsa ajo që e ka ngritur zërin më shumë dhe është konfliktuar me të ka qenë një grua, e cila edhe e kërcënon duke i thënë: “Mbaje mend ç’do të bëj unë ty”, ndërsa një burrë tjetër shprehet: “Do të marrim në telefon policinë?” Gruaja i thotë se do të raportojë ngjarjen dhe do t’i japë targën e automjetit shefit të Lushnjes për të marrë masa.
“Të gjithë për të fituar bukën e gojës dalin, por jo në këtë mënyrë”, – thotë zonja e revoltuar. Ajo dëgjohet të thotë se shoferi është i papërgjegjshëm dhe se po rrezikon jetën e 20 personave.





