24 qershor 2015 – Fati i Lulzim Bashës në krye të opozitës është në pikëpyetje të madhe. Edhe pse ai ka paralajmëruar se nuk do të japë dorëheqjen kurrsesi dhe për këtë vendim ka edhe miratimin e Sali Berishës, Lulzim Basha është humbësi më i madh dhe i gjithanshëm i zgjedhjeve të 21 Qershorit.

Partia Demokratike ka pësuar humbjen ndoshta më dramatike dhe katastrofike që nga themelimi i saj. Përtej entuziazmit të rremë për disa fitore të vogla, e djathta nuk do të qeverisë asnjë qendër të madhe urbane, përpos Shkodrës. Humbja e Partisë Demokratike është e dyfishtë, pasi kryetari i ri, Lulzim Basha, e shpalli votën e 21 Qershorit votë politike, duke u dhënë zgjedhjeve lokale natyrën e zgjedhjeve të përgjithshme. Dhe shqiptarët e ndëshkuan Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike në mënyrë të dyfishtë.

Nga 61 bashki, Partia Demokratike ka humbur 45 njësi vendore. I vetëdijshëm dhe i informuar për një rezultat të tillë, Sali Berisha, bëri një lëvizje taktike, duke i shpallur zgjedhjet më të poshtra dhe të deformuara në histori. Por kjo tezë u hodh poshtë me shpejtësi nga SHBA, BE dhe OSBE. Ndaj, krerët e opozitës po e pranojnë në heshtja rezultatin. Por, në SHUQP ka një nervozizëm në prag shpërthimi ndaj Lulzim Bashës.

Dy ditë më parë, dy deputetë të PD, Gent Strazimiri dhe Mesila Doda, pranuan humbjen e zgjedhjeve. Doda i kujtoi Bashës përgjegjësinë e humbjes ndërsa, Strazimiri e pranoi disfatën, por tha se mazhoranca duhet neutralizuar. Ndërkaq, teksa humbja katastrofike e PD ka marrë trajtë përfundimtare, në PD janë shtuar zërat e deputetëve që kërkojnë analizën e humbjes dhe pse jo largimin e Lulzim Bashës. Edhe Majlinda Begu i ka dhënë dje një sinjal të qartë Lulzim Bashës, duket deklaruar se “t’i ikësh realitetit nuk është fitore”.

Por, kërkesa për largimin e Bashës është më prezente dhe e theksuar në bazën e Partisë Demokratike. Qindra simpatizantë të Partisë Demokratike, në rrjetet sociale dhe në forma të ndryshme, kanë artikuluar pakënaqësinë e thellë ndaj Lulzim Bashës, duke e identifikuar edhe si humbësin më të madh.

Ndërkaq, Lulzim Basha ka vendosur t’i përgjigjet me shpejtësi të gjithë kësaj vale zhvillimesh. Kreu i PD u ka nisur një mesazh deputetëve dhe kryetarëve të degëve të PD, duke pohuar se PD është rritur me 9 % në këto zgjedhje dhe këtë Basha e konsideron fitore. Basha ka pohuar në mesazh se rezultati i zgjedhjeve është inkurajues, duke konfirmuar kësisoj se nuk ka ndërmend që të japë dorëheqjen.    

Analiza e zgjedhjeve   

Në përfundim të numërimit të votave në 61 bashkitë e vendit, kanë nisur të shtohen zërat e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kërkojnë  një analizë të rezultatit negativ. Të kontaktuar nga gazeta “Sot”, deputetët të Partisë Demokratike konfirmuan se do të ketë një analizë të rezultatit të zgjedhjeve dhe një qëndrim zyrtar të PD. Deputeti i Partisë Demokratike, Keltis Kruja, në një reagim për gazetën, e cilësoi rezultatin pozitiv krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 2013. “Jemi akoma në pritje të përfundimit të numërimit, jo vetëm për kryebashkiakët por duhet pritur vota politike për anëtarët e Këshillave Bashkiak për të pasur një rezultat përfundimtar. Deri në këto moment unë mund të them që kemi një rezultat që na ngre në raport me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013”, deklaroi deputeti Kruja.

Deputetja Albana Vokshi dha një tjetër panoramë të rezultatit duke theksuar se PD do të bëjë një analizë të thellë të të gjithë incidenteve dhe presioneve ndaj votuesve. Ajo tha se pas përfundimit të numërimit, do të nis analiza dhe do të ketë një qëndrim për rezultatin që ka marrë PD në këto zgjedhje.

“Është pozitiv si ecuri. Unë këtu te qendra ime kam pasur shumë probleme me presionin që u është ushtruar votuesve. Gjithë këto kontestime ne do t’i bëjmë të ditura dhe Partia Demokratike do të dalë në një qëndrim zyrtar”, tha deputetja Albana Vokshi.

Edhe deputeti Bedri Mihaj e cilësoi rezultatin pozitiv duke e krahasuar me atë të dy viteve më parë. “Unë drejtoj Mallakastrën dhe aty jam fitues, për të tjerët nuk mund të jap gjykime, por gjithsesi me sa jam informuar, PD në këto zgjedhje ka marrë një rezultat pozitive krahasuar me dy vjet më parë. Kjo duhet vlerësuar” , tha deputeti Mihaj.

/Gazeta 'Sot'/