Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në godinën e Partisë Socialiste në Shkodër mbrëmjen e sotme, ku i pranishëm ka qenë edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, që është edhe koordinator i PS në këtë qark.
Mbrëmjen e sotme do të inaugurohej godina e re e PS në Shkodër, por përfundoi në një sherr me armë dhe grushte mes vet socialistëve për ndarjen e posteve.
Në fund të mbledhjes, një nga anëtarët e kryesisë ka thirrur drejtorin e OSHEE- së për veriun e vendit Ersi Sulejmani dhe pas debateve e ka qëlluar disa herë në kokë.
Përballë kësaj situate ka tentuar të ndërhyjë një tjetër anëtar por edhe ky i fundit është qëlluar disa herë ndërsa situata ka precipituar, kur njëri nga të pranishmit ka nxjerrë pistoletën nga brezi. Në këtë moment anëtarët e kryesise kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë e cila ka ndërhyre menjëherë duke shmangur çdo lloj ngjarje të paprecedent që mund të krijohej.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë deri në këto momente nuk ka asnjë përson të shoqëruar, ndërsa 3 persona kanë marrë plagë në kokë përfshi këtu edhe drejtorin e OSHEE- së Sulejmanin.





