Një ngjarje e rëndë është shënuar në një restorant italian në Monte Karlo. Një kuzhinier italian ka humbur jetën pas goditjeve me thikë nga një shtetas shqiptar. 

Autori i krimit, i cili është identifikuar nga policia si 30-vjeçari shqiptar Rikart Nika, është dorëzuar disa orë më vonë pas vrasjes te karabinierët e Bordighera-s, komunë në Itali ku edhe banonte. Ai dhe viktima punonin në të njëjtin restorant, ku Nika bënte kamerierin, në rrugën “du Portier”.

Motivet e vrasjes mbeten ende për tu zbardhur. Pasi ka shkuar për t’u dorëzuar te karabinierët, shqiptari u shfaq i hutuar dhe ra në tokë.

“U zura me një koleg në restorantin ku punoj. Më pas e godita me thikë. Nuk e di nëse është gjallë apo ka vdekur”, tha ai.

Vrasja ka ndodhur gjatë orëve të pasdites, por është zbuluar nga policia e Monakos vetëm pas orës 22:00, pas alarmit të lëshuar nga karabinierët sapo kishin marrë rrëfimin e Nikës. Policia e principatës shkoi në restorant dhe gjeti të pajetë në kuzhinë kuzhinierin italian. Trupi ishte në dysheme, në një pellg gjaku, raporton “La Stampa”.