Pas vrasjes së Erion Morinës, policia italiane ka arrestuar kushëririn e tij, Musli Morina si autor i dyshuar.

Erion Morina, 20-vjeçari kosovar u gjet i vdekur më 17 janar në kanalin që kalon në Kalkio, një komunë e Bergamos që kufizohet me Urago d’Oglio.

Disa orë pas zbulimit makabër të kufomës, kushëriri i tij Musli Morina përfundoi në pranga.

Gjatë marrjes në pyetje Musli Morina, nën asistimin e avokatit, pranoi se e kishte goditur viktimën, por gjithashtu shtoi se e bëri atë për ta mbrojtur veten nga një sulm.

Në origjinën e sherrit mes kushërinjve, që më pas degjeneroi në vrasje, raportohet se qëndron çështja ekonomike. Mediat italiane raportojnë se shkak për këtë vrasje ishin 50 ose 100 euro që Erioni i kishte huazuar kushëririt të tij.

Musliu rrëfeu para autoriteteve se e kishte zënë paniku pas sherrit dhe e ka transportuar trupin e kushëririt të tij, i cili ende nuk kishte vdekur, në Naviglio duke e hedhur në lumë ku dyshohet se edhe ka ndërruar jetë.